Disa pjesë të Vitisë përsëri vatra të infeksionit, kryetari kërkon sqarim nga MSH-ja

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka folur rreth vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen si vatra të përhapjes së infeksionit të fshatrave Ramjan, Stubëll e Epërme, Pozheran, Skifteraj, Goshicë dhe Rrugës“UÇK” në këtë qytet.

Haliti në Edicionin Special të Klan Kosovës deklaroi se këto fshatra edhe më herët ishin si vatra të përhapjes së infeksionit.

“I njëjti vendim është ripërsëritur, ky vendim ka ardh dje tek ne dhe është urdhëruar që të zbatohet. Atje ku kemi pasë të prekur me Covid-19, një pjesë të tyre e kemi shëruar tërësisht. Tani i kemi 44 të shëruar nga 53 gjithsej. Presim edhe raste të tjera të ritestohen”.

Ai theksoi se nga MSH-ja nuk janë konsultuar me Komunën e Vitisë për këtë vendim.

“Jo nuk jemi konsultuar as në herën e parë kur Vitia është vendosur në karantinë. Këto janë vendime të MSH-së adresimi duhet të bëhet tek ata, duhet të pyeten ata. E kam bërë një reagim institucional krejtësisht parimor kamë dashtë të dijë arsyen se pse është bërë kjo”.

“Për shkak se është rikthyer një panik tek qytetarët edhe pse s’kemi asnjë rast pozitiv më tutje. Trendit janë negative janë në kuptim të mirë, ata që kanë qenë të prekur me Covid-19 janë duke shkuar drejt shërimit”.

“Gjatë ditës në vijim do t’i kemi të gjithë të shëruar në Viti. Duhet me pyet MSH-ja nuk dua as të komentoj, ky vendim ka qenë befasues, duhet të japin sqarime pse është bërë kjo. Ky vendim do të jetë i zbatueshëm deri në vendimet tjera”.

“Unë mendoj të konsultohemi që mos me marr veprime të njëanshme që qytetarët i vë në lajthitje i frikëson, thjesht mos ka diçka që ne nuk jemi transparent”, ka thënë Haliti.