Dita e dhjetë e tensioneve në veri, protestuesit dhe Njësia Speciale të palëkundur

Të pakënaqur me vendimin e Kosovës për reciprocitetin për targat, qytetarët serbë vazhdojnë të protestojnë në vendkalimet Bërnjak dhe Jarinjë për ditën e dhjetë.

Nata kaloi e qetë, dhe këtë mëngjes situata është e pandryshuar. Qytetarët serbë kanë thënë se janë të vendosur të qëndrojnë në barrikada derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Nga ana tjetër pjesëtar të Njësisë Speciale të Kosovës po qëndrojnë në pozicionet e tyre tash e dhjetë ditë, shkruan lajmi.net.

Kryetarët e katër komunave nga veriu i Kosovës përsëritën dje se gjatë bisedimeve me komandantin e KFOR -it ata morën një propozim për të zëvendësuar Njësinë Speciale pranë Jarinjës dhe Bërnjakut me ushtarë të KFOR -it. Kryetarët e komunave veriore të Kosovës e kanë quajtur vendimin e qeverisë së Kosovës të njëanshëm dhe kanë thënë se reciprociteti për targat rrezikon lirinë e lëvizjes.

Situata aktuale në veri do të jetë tema e takimit të sotëm në Bruksel, ku do të marrin pjesë kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.