Qytetet e tjera të Kosovës që rrezikojnë të mbyllen gjatë fundjavës

Përveç shtatë komunave që aktualisht janë në karantinë, janë edhe gjashtë të tjera që pritet të mbyllen gjatë vikendit. Aktualisht, këto qytetet janë në zonën e portokalltë të infeksionit, por nëse rastet vazhdojnë të rriten, atëherë Ministria e Shëndetësisë do të marrë masa.

Bazuar në hartën që pasqyron rastet me COVID-19 për 100 mijë banorë, të cilën e ka publikuar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, qytet e tjera ku mund të ndalohen hyrje-daljet në fundjavë janë: Lipjani, Ferizaj, Vushtrria, Juniku, Deçani dhe Peja.

Nëse vazhdon trendi i njejtë i rasteve, atëherë këto komuna do të hyjnë në zonën e kuqe të infektimit dhe do të mbyllen.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar vetë Zemaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Çdo komunë tjetër që hynë në zonë të kuqe të infeksionit, sipas numrit të banorëve (sipas hartës), do të ketë masë të njëjtë!”, ka shkruar Zemaj.