Djali i Gucatit: Kurti me mosreagim lë të nënkuptohet se i është gëzuar dënimit

Musli Gucati, djali i ish-kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar për heshtjen e kryeministrit të Kosovës pas dënimit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt me nga 4 vjet e gjysmë burg.

Ai akuzoi Kurtin se kur dënohen njerëzit e tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare, reagon i gjithë kabineti i tij, ndërsa me mosreagimin e Kurtit, Musliu tha se kjo lë të nënkuptohet se i janë gëzuar dënimit të ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së.

Më tej, Musliu thotë se kryeministri Kurti ka qenë gjithmonë kundër proceseve të mëdha historike të Kosovës.

“Dy burra u dënuan vetëm pse i treguan opinionit publik bashkëpunimin e Zyrës së prokurorit të specializuar me prokuror dhe kriminel serb ndërsa kryeministri ynë thoshte së janë filma të inskenuar por nuk është diçka e re kjo sepse gjithmonë kryeministri aktual ka qenë kundër proceseve të mëdha historike të Kosovës”, ka shkruar Musliu,m.

Kujtojmë se më 18 mars, Gjykata Speciale e Kosovës ka dënuar me burgim me nga 4 vjet e gjysmë Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.

Trupi Gjykues konstatoi se në shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj, në tri konferenca për media, në më shumë se 20 paraqitje në media të tjera dhe përmes postimeve në mediat sociale zbuluan informacion konfidencial të hetimeve dhe punës së brendshme të Task Forcës Hetimore Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.