Emrat e biznesmenëve shqiptar që u arrestuan mbrëmë

Mësohen emrat e biznesmenëve të arrestuar në kuadër të operacionit anti-informalitet të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Tiranë.

Mes të arrestuarve janë Haxhi Sala, Ilia Dimo, Ardian Bejko, Vangjush Birçe, Rrapo Baduni, Shkëlqim Prodani, Shpresa Joanidhi, Riza Roshi, Besnik Pelivani, Paqësor Buzi, Astrit Lala, Fatmir Firi, Rabi Kurti, Mhill Ndreca dhe Shpresa Joanidhi.

Pikërisht kjo e fundit, ka qenë kandidate për deputete në qarkun e Gjirokastrës për Partinë Demokratike.

Ndërkohë në gjendje të lirë po hetohen Perparim Hasani dhe Albert Ahmeti.

Antikrimi Ekonomik në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Tiranës ka arrestuar të dyshuarit, kryesisht biznesmenë ndërtimi dhe të policive private.

Të ndaluarit dyshohen se nuk kanë bërë deklarimet e parashikuara në ligj, duke shmangur detyrimet tatimore.

Pjesë e operacionit ka qenë edhe Drejtoria e Tatimeve, gjeneza prej nga nisi gjithçka, pas denoncimeve për fshehjen e faturave tatimore, duke shkaktuar një dëm prej disa milionë euro.

Hetimet lidhur me këtë operacion kanë nisur javë më parë, ku pas provave të grumbulluara, Prokuroria firmosi arrestimin e të dyshuarve.

Po ashtu mësohet se operacioni është në vijim dhe deri më tani nga ana e policisë nuk ka asnjë njoftim.

Prej javësh është paralajmëruar se aksioni anti-informalitet do të ketë në fokus biznesin e madh dhe kryesisht sektorin e ndërtimit.