Djegia e flamurit serb në sheshin ‘Skënderbej’, Serbia ‘notë proteste’ Shqipërisë: Ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe

Serbia ka dërguar një notë proteste ndaj ambasadës së Shqipërisë në Beograd për djegien e flamurit serb në qendër të sheshit Skënderbej në 20 nëntor, mbrëmjen kur u luajt ndeshja Shqipëri-Ishujt Faroe në Air Albania në kuadër të kualifikueseve të Euro 2024.

Mediat serbe shkruajnë se njoftimin e ministrisë së Jashtme të Serbisë, thuhet se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve të cilat sipas ministrisë serbe, kanë arritur në pikën më të lartë gjatë historisë së tyre shekullore.

“Ne besojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Më tej ministria e Jashtme thekson se pret që institucionet kompetente të Shqipërisë të bëjnë gjithçka. në kompetencat e tyre për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtij akti të shëmtuar, të cilat duken qartë në videon e djegies së flamurit të publikuar nga mediat.

Në notën e protestës shprehet pritshmëria që Shqipëria të informojë institucionet e Serbisë për këtë nëpërmjet kanaleve diplomatike brenda një periudhe të arsyeshme kohore.