Djukanovic kërcënon hegjemonët serbë: Shpejt do të njoftojmë se kush po sulmon brutalisht Malin e Zi

Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, tha sot në Cetinë se ditëve në vijim do të bëjë publike se kush po shkakton konflikt brutal me Malin e Zi e duke ju referuar gati hapur Kishës Ortodokse Serbe tha se ajo e ka vetëm shkas ligjin për bashkësi fetare dhe pronat për të sulmuar Malin e Zi.

Ai ka thënë në Cetinë se zhvillimet aktuale flasin se “gjithnjë e më pak është fjala për Ligjin mbi liritë fetare dhe gjithnjë e më pak çështje e pronës” dhe përbën edhe një shkas për atak në shtetin e Malit të Zi”.

Ai ka thënë se kjo që po ndodhë është vazhdim i luftës kundër fantazmave të nacionalizmit hegjemon në Ballkan, “të parë e të përjetuar gjatë viteve të nëntëdhjeta, të cilët i mposhtëm atëherë por shihet qartë se nuk i kemi varrosur”.

Ai paraprakisht në takimin me të rinjtë e partisë së tij në Cetinë kishte thënë se kisha do të ketë vendin e vet në shtetin europian të Malit të Zi.

“Mali i Zi do të jetë shtet demokratik në të cilin asnjë bashkësi fetare nuk do të dominojë, por ashtu si të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet fetare në Mal të Zi do të jenë të barabartë dhe të gjithë do të ndihen komode, qoftë si besimtar ose si qytetar i Malit të Zi”, ka thënë ai.

Mali i Zi që prej dhjetorit të vitit të kaluar po përballet me presion të madh nga nacionalistët serbë brenda dhe jashtë kufijve pas miratimit të ligjit mbi bashkësitë fetare. Kisha Ortodokse Serbe po i prinë protestave në Mal të Zi nën pretendimin se ligji i ri ka për qëllim grabitjen e pronave të kishës.

Kisha Ortodoks e Malit të Zi ishte shkrirë në atë të Serbisë pas formimit të atëherë Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene. Zërat kundërshtues ishin shtypur me egërsi në Mal të Zi. Ndërsa që prej pavarësimit të Malit të Zi në vitin 2006 serbët janë të revoltuar me malazezët pasi janë orientuar drejt perëndimit.

Në vitin 2016 në Mal të Zi kishte tentim grusht shteti, dhe procesi gjyqësor dënoi personat e implikuar mes tyre dhe dy shtetas rus. Edhe atëherë e tani më shumë se asnjëherë ka zëra në Mal të Zi që e akuzojnë Kishën Ortodokse Serbe jo vetëm si bashkëpunëtore në atë tentim grusht shteti por edhe si nismëtare.

Kisha Ortodokse Serbe është e njohur për afërsinë me qarqe ruse dhe kundërshton hapur çdo tentim të pavarësimit dhe largimit nga ndikimi hegjemon kulturor si në Mal të Zi dhe së fundi edhe tentimin e krijimit të një kishe autoqefale në Maqedoni të Veriut.