DnV: Respektim jo i kënaqshëm i masave anti-covid nga qytetarët gjatë procesit të votimit

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit në 21 komunat ku po zhvillohet balotazhi është përafërsisht e njëjtë me raundin e parë, rreth 7%.

Komunat me daljen më të madhe janë: Mamusha (18%), Juniku (17%), Kllokoti (12%) dhe Shtimja (11%), ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën e Dragashit (4%).

Në njoftimin e DnV-së thuhet se deri më tani është raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-covid nga ana e komisionerëve (70%), ndërsa qytetarët po tregojnë edhe më pak kujdes në respektim të masave (në nivelin 56%).

“Raportohet edhe për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta sesa në raundin e parë. Në rreth 14% të vendvotimeve janë evidentuar deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në Listën e Votuesve.Votimi me asistencë vazhdon të jetë gjerësisht i shprehur edhe në këtë raund. Raportohet se votimi me asistencë është administruar në mbi 2/3-tat e të gjitha vendvotimeve”.

“Për më tepër, në 5% të vendvotimeve, numri i rasteve me asistencë të rregullt shkon deri në 50 sosh. Deri më tani, vëzhguesit e DnV-së nuk kanë raportuar për asnjë rast të fotografimit të votës. Po ashtu, brenda dhe jashtë qendrave të votimit, nuk janë hasur persona apo grupe të organizuara që u kanë bërë presion votuesve”, thuhet në njoftim.