Flet Arbërie Nagavci, a do të ketë takim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së

Pozita e Kryeparlamentarit është bërë “mollë sherri” ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Kanë mbetur edhe 5 ditë nga afati kushtetues që Vetëvendosja ta bëjë Qeverinë.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së, njëherësh edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, për “Front Online” ka thënë se Vetëvendosje i ka deleguar të gjitha kompetencat grupit punues.

”Nuk mund të them saktë sot a do të ketë takim a po jo, jam e sigurt edhe e bindur që Lëvizja do t’i merr të gjitha veprimet dhe aktivitetet që i takojnë asaj në mënyrë që të arrijmë marrëveshje dhe një pajtueshmëri përpara përfundimit të afatit kushtetues për të mandatuar Qeverinë”, tha Nagavci për “Front Online”.

E pyetur se a do të lëshojë pe Vetëvendosja për postin e Kryeparlamentarit, ajo tha se partia e saj në vazhdimësi ka pasur propozime për LDK-në dhe se janë të interesuar të arrijnë marrëveshje.
”Sigurisht pa i shkelur parimet të cilat janë të rëndësishme edhe për ndërtimin e besimit në mes dy partive tona, por edhe në raport me respektimin e institucioneve të vendit dhe Kushtetutës”, përfundoi ajo.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është deklaruar përfundimisht se nuk bëjnë marrëveshje me Vetëvendosjen nëse LDK-së nuk i ipet posti i Kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e Presidentit.