DOKUMENT | Haxhi Avdyli kërcënon sigurimin e Rezonancës me “ligjin” e Kanunit, iu sulmua djali

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i cili vjen nga radhët e Listës Guxo, pas një incidenti mes djalit të tij 16 vjeçar dhe një punonjësi të sigurimit të shkollës private të mjekësisë “Rezonanca” në Konjuh të Lipjanit, ka shkuar dhe i ka kërcënuar pjesëtarët e sigurimit në vendin e tyre të punës, duke ua përmendur edhe Kanunin.

Deputeti Haxhi Avdyli e ka kërcënuar sigurimin e shkollës private “Rezonanca”, pasi E.M. (emër i njohur për redaksinë), pjesëtar i sigurimit të kësaj shkolle, dyshohet se e ka sulmuar djalin e mitur të Haxhi Avdylit, rast ky që u lajmërua në polici pikërisht në ditën që deputeti Avdyli shkoi në shkollën “Rezonanca” dhe kërcënoi sigurimin e shkollës, katër ditë pasi që kishte ndodhur incidenti mes E.M. dhe djalit të tij të mitur, Y. Avdyli, 16 vjeçar.

As deputeti Avdyli dhe as djali i tij nuk e kishin raportuar rastin në polici deri në ditën që Haxhi Avdyli kishte shkuar te “Rezonanca” dhe e kishte kërcënuar sigurimin e kësaj shkolle se nëse nuk e zgjidh policia, do ta zgjidhte vetë ai rastin sipas Kanunit, raporton Demokracia.com.

Rasti u hap në polici si sulm ndaj djalit të Avdylit, por jo edhe si “kanosje” për kërcënimet e deputetit Avdyli në shkollën “Rezonanca”.

Se ka qenë në shkollë në të njëjtin ditë kur është hapur rasti e ka konfirmuar mbrëmë vonë për Demokracia.com edhe vetë deputeti Avdyli, megjithatë ai ka mohuar se kishte pasur konfrontime më këdo në shkollën “Rezonanca”.

Avdyli madje ka tentuar t’i japë leksikone mediumit sesi duhet ta trajtojë rastin, duke e quajtur dytësore rrjedhjen e mëtejme të ngjarjes kur e kishte vizituar vetë shkollën “Rezonanca”.

“Nuk është e vërtetë, rasti është lajmëruar në polici. Sot e kam marr djalin dhe personi që e ka sulmuar djalin është në burg. Fëmija është i mitur dhe është sulmuar nga sigurimi i shkollës. Janë edhe incizimet në polici, edhe në shkollë. Ndërsa, kurrfarë kërcënimi nuk ka ndodhur aty. Policia e dinë rastin edhe për atë është personi në fjalë në burg, sepse e ka rrah një të mitur”, ka thënë fillimisht deputeti Avdyli për Demokracia.com.

Ndërsa, pasi është pyetur pse ka shkuar katër ditë me vonesë dhe pse është hapur rasti pikërisht në ditën kur ai shkoi në shkollën e djalit lidhur me incidentin që kishte ndodhur katër ditë më herët, Avdyli edhe i ka dhënë leksione gazetares sesi duhet ta trajtojë këtë temë, duke menduar se është denoncuar nga “Rezonanca” në polici për kërcënimet e tij.

“Jam shku e kam marrë djalin. Ju kam thënë se do t’i denoncoj në polici edhe kaq. Është detyrë e imja për më i denoncu. Ju duhet me shiku sesi një fëmijë është rrah dhe jo që prindi i tij ka shku për ta denoncuar një shkollë. Por, ata tash kanë bërë, si më thënë, mbrojtja më e mirë është sulmi, prandaj nuk është mirë me u marr me gjëra dytësore”, ka thënë deputeti Haxhi Avdyli për Demokracia.com.

Lidhur me rastin, Demokracia.com e ka kontaktuar edhe drejtorin e shkollës “Rezonanca”, Sylejman Buqaj, i cili e ka konfirmuar ngjarjen. Megjithatë, drejtori Buqaj ka thënë se përkundër që ka qenë e vështirë të bashkëpunojë me deputetin Avdyli, ata kanë pasur një bisedë të qetë dhe personalisht nuk ka marrë kërcënime nga ai.

Drejtori i shkollës “Rezonanca”, Sylejman Buqaj, ka treguar për Demokracia.com se sigurimi e kishte njoftuar që deputeti Avdyli i kishte kërcënuar, duke u thënë se nëse këtë rast nuk e zgjedh policia, do ta zgjedh ai vetë sipas Kanunit.

Buqaj ka premtuar se do t’i publikojnë edhe pamjet e kamerave, ku shihet deputeti Avdyli duke e kërcënuar sigurimin e shkollës.

“Sa i përket çështjes së fëmijës është një çështje pak e ndjeshme për arsye se kemi të bëjmë më një të mitur. Organet e rendit janë duke u marrë me rastin dhe unë besoj plotësisht në ata. Sa i përket deputetit Avdyli, unë dhe deputeti kemi biseduar shtruar, sikur një drejtor me prind që vjen për fëmijën e vet. Është e vërtetë që ai fëmijë ka sjellje jo që i përkasin një nxënësi, por ne bashkëpunojmë me prindër, edhe pse ka qenë shumë vështirë me bashkëpunu me doktorin (Avdylin). Në fund, ai ka ardh dhe kemi biseduar, jemi marrë vesh. Ne kemi marrë masa disiplinore ndaj nxënësit, konform ligjit, një suspendim nga shkolla për shkak të thyerjes së rendit dhe rregullave të shkollës. Kur ka ardh tek unë, nuk ka pas sjellje kërcënuese deputeti Avdyli. Absolutisht, unë kam biseduar në mënyrë shumë të qetë. Por, sipas fjalëve të sigurimit tjetër të shkollës, Avdyli iu ka thënë se “unë do ta zgjedh problemin, nëse policia nuk e zgjedh, unë do ta zgjedh me Kanun dhe do të vijë edhe te shpija”, këto janë fjalët e sigurimit se unë nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di, sepse kam qenë në zyre. Por, megjithatë, sigurimi ia ka tërhequr vërejtjen Avdylit dhe i ka thënë që të mos shprehet në atë mënyrë, sepse aty janë kamerat. Kjo ka qenë, unë nuk mund të them se deputeti është sjellë ashtu. Megjithatë, ne do t’i nxjerrim edhe kamerat, sepse aty shihen veprimet e deputetit Avdyli”, ka thënë drejtori Sylejman Buqaj, i cili siç mëson Demokracia.com, po ashtu është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Rasti për sulm ndaj djalit të Avdylit është hapur më 28 shkurt 2022, përkundër që kishte ndodhur më 24 shkurt 2022.

Siç thuhet në raportin e Policisë të siguruar nga Demokracia.com, Avdyli kishte denoncuar në polici rastin si sulm nga E.M., sigurim i shkollës, si dhe nuk ishte lejuar të futej në objektin e shkollës.

“Me datën 28.02.2022 rreth orës 11:20 ankuesi i mitur Y. Haxhi A, 2005, m/sh/k nga Prishtina deklaron se me datë 24.02.2022 në shkollën private të Mjekësisë Rezonanca që gjendet në Fsh Konjuh deri sa kishte qene duke hyre ne objektin e shkollës është sulmuar nga Sigurimi i kësaj shkolle me grusht ne bark dhe nuk ishte lejuar nga i njëjti të hyej ne shkolle, ne lidhje me ketë rast eshte njoftuar prokuroi kujdestar dhe sipas udhëzimeve te tij janë intervistuar i dyshuari E.M., drejtori i kesaj shkolle S.B, deshmitari N.J dhe sipas prokurorit hapet rasti “sulm”, ndersa i dyshuari dergohet ne mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Demokracia.com ka vendosur të mos i bëjë publik emrat e të përfshirëve dhe të të intervistuarve lidhur me këtë rast për shkak të kontradiktave që ende ekzistojnë.