Leo Messi: E përfundova sezonin më i lodhur dhe zemëruar në kokë sesa fizikisht

Dy javët e fundit të sezonit 2018/19 ishin ankth për Lionel Messin, për shkak se Barcelona e tij e katandisi synimin për ta fituar tripletën, e më e rëndësishmja Ligën e Kampionëve pas katër vjetësh, që deri në ato momente ishte shumë e mundur.

Messi, i cili është duke u përgatitur me Argjentinën për Kupën e Amerikës 2019 në Brazil, ka folur në një intervistë me TyC Sports, duke treguar se sa i rëndë ka qenë për të eliminimi nga Liga e Kampionëve dhe humbja në finale të Kupës së Mbretit, shkruan Gazeta Express.

Barça e çoi dëm mundësinë për ta fituar tripletën brenda dy ndeshjeve. Së pari, gjiganti spanjoll u trondit nga Liverpooli duke u mundur 4:0 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve, edhe pse kishte një epërsi prej 3:0 nga ndeshja e parë.

Klubi katalonas, që u shpall kampion në La Liga për vitin e dytë radhazi, e humbi edhe finalen e Kupës së Mbretit duke humbur 2:1 nga Valencia në finale.

Messi ka thënë se nuk ishte lodhur fizikisht pas përfundimit të sezonit, për shkak se kishte pushuar më shpesh këtë edicion, por mendërisht.

“E mbylla sezonin më i lodhur dhe zemëruar në kokë sesa fizikisht, për shkak të asaj që ndodhi në dy javët e fundit , veçanërisht pas eliminimit nga Liga e Kampionëve”, tha Messi.

“Fizikisht kam pushuar. Mendoj se këtë vit kam luajtur më pak se në vitet e kaluara”, shtoi ai.