Menu Mbylle

Donika Gërvalla diskuton pushtimin e Ukrainës me Somalinë e piratëve

Donika Gërvalla diskuton pushtimin e Ukrainës me Somalinë e piratëve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po qëndron në Turiq në kuadër të Forumit për Diplomaci me moton “Rikodimi i Diplomacisë”. Aty Gërvalla është takuar edhe me homologun e saj nga Somalia e piratëve.

Më ministrin e Jashtëm të Somalisë së piratëve Gërvalla ka diskutuar për luftën në Ukrainë.

“Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Somalisë, z. Abdisaid Muse Ali u bisedua rreth realitetit të ri të krijuar në Evropë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe implikimeve të kësaj situate në Ballkan dhe Kosovë si dhe mundësive të bashkëpunimit në fushën e edukimit, me theks të veçantë tek programet online të studimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MPJD-së, përcjell Fokusi.info.

Ndryshe, tre dekadat e fundit, peshkatarët e armatosur somalezë janë shndërruar në rrezikun numër një për anijet që qarkullojnë në ujërat e Oqeanit Indian.

Njoftimi i plotë:

Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, temë kryesore e takimeve bilaterale të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla në Forumin e Diplomacisë në Antali

Në kuadër të Forumit për Diplomaci (ADF), i cili po mbahet në qytetin Antalia të Turqisë me moton “Rikodimi i Diplomacisë”, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla zhvilloi një sërë takimesh me homologë të saj të ndryshëm.

Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Z. Mevlut Çavushoglu, ministrja Gërvalla theksoi qëndrimin e vendosur të Kosovës kundër agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë dhe e falënderoi ministrin Çavushoglu për deklaratën e vendosur të Presidentit Erdogan dhe të vetë ministrit Çavushoglu në mbështetje të anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat e NATO-s dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Ministrja Gërvalla falënderoi ministrin turk gjithashtu për ftesën për pjesëmarrje në Forumin për Diplomaci dhe pritjen e jashtëzakonshme që Turqia i bëri pak ditë më parë presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu.

Ndër temat që u biseduan ishin edhe rritja e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme, implikimet në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë në prill të këtij viti si dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Somalisë, z. Abdisaid Muse Ali u bisedua rreth realitetit të ri të krijuar në Evropë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe implikimeve të kësaj situate në Ballkan dhe Kosovë si dhe mundësive të bashkëpunimit në fushën e edukimit, me theks të veçantë tek programet online të studimit.

Gjatë takimit me ministrin II. të Punëve të Jashtme të Brunei Darussalamit, Dato Seri Setia Haji Erywan bin Pehin Datu Pekerma Jaya Haji Mohd, ministrja Gërvalla pasqyroi gjendjen në Republikën e Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor pas situatës së re të krijuar në Evropë pas invazionit të Federatës Ruse në Ukrainë duke shtuar nevojën për të gjetur mbështetje më të gjerë për subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në kontinentin e Afrikës.

Së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Senegalit, znj. Aïssata Tall Sall, Ministrja Gërvalla elaboroi gjendjen e re të krijuar në Evropë. Gjatë takimit u diskutuan format konkrete të bashkëpunimit në kuadër të Akademisë Diplomatike të Kosovës dhe universiteteve të ndryshme në fushën e shkencave dhe IT-së.

Me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bahrainit, ministrja Gërvalla analizoi situatën aktuale në Kosovë, Ballkan dhe Evropë, mundësinë e bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe turizmit si dhe bashkëpunimin në kuadër të Akademisë Diplomatike. /Fokusi.info/