Drejtori i policisë mbështet sindikatën në kërkesat e saj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti me stafin e tij ka pritur në takim drejtuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës me ne krye Imer Zeqirin.

“Gjatë këtij takimi, kryetari i Sindikatës së PK-së, z. Zeqiri, shpalosi shumë çështje që ndërlidhen me mirëqenien e punonjësve të PK-së, ku në veçanti u diskutua edhe për ‘Ligjin për paga’, ‘Ligji për sigurimin shëndetësor’, si dhe për shujtën dhe për mundësinë e realizimit të disa benifiteve tjera për policinë”, thuhet në kumtesë.

Drejtori i Policisë së Kosovës u ka dhënë mbështetje të gjitha këtyre kërkesave të sindikatës.

“Mehmeti, shprehi gatishmëri për partneritet dhe bashkëpunim dhe premtoi se do të përkrahë të gjitha kërkesat legjitime të Sindikatës së PK-së, për të krijuar mirëqenie sa me të mirë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Po ashtu u sugjeroi që komisioni i PK-së dhe Sindikata e PK-së të bashkëveprojnë në kërkesat për ‘Ligjin e pagave” me qëllim që të kemi një ligj të dinjitetshëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës”.