Dreshaj: Arben Vitia duhet të tregoj pse s’po fillon zbatimi i ligjit për çmimin e barnave

Që ligji i cili cakton çmimin e barnave nuk ka filluar ende të implementohet e thotë edhe deputeti i AAK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj.

“Ligji ende nuk ka filluar të implementohet. Ne e kemi kry punën tonë si legjislativ dhe implementimi i këtij ligji nuk është proces i joni, është proces i ministrisë”, ka thënë ai për Front Online.

I pyetur se cilat janë arsyet se përse ky ligj nuk po gjen ende zbatim, ai ka thënë ta pyesim ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitinë.

Mministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në ditën e votimit të këtij ligji ka deklaruar se i njëjti është për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi i çmimeve të barnave.

“Sot Kuvendi i Republikës votoi Ligjin për çmimin e produkteve medicinale. Falënderime të gjithë deputetëve të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan që ky ligj të bëhet sot realitet. Të dashur qytetarë, Me këtë ligj nisim një epokë të re për ta mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave”, kishte deklaruar Vitia në korrikun e vitit të kaluar.

Ministri ka shtuar tutje se “Na pret një punë e madhe deri tek jetësimi i plotë i Ligjit të ri. Por jemi bërë gati që ta realizojmë pa asnjë vonesë”.