Dreshaj: Rreth 150 mjekë e kanë lëshuar vendin vitin e kaluar

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se qeveria aktuale nuk e ka prioritet shëndetësinë.

Në emisionin “Five” në RTV Dukagjini të martën, ai ka thënë se nuk ka përmirësime të dukshme në spitalet e Kosovës.

“Në esencë, shëndetësia nuk është prioritet qeverisës i vendit, dhe derisa nuk është prioritet, atëherë gjasat që të kemi dështime në segmente të ndryshme menaxheriale, ne jemi pothuajse vendi i fundit në rajon e Evropë që ende nuk disponojmë sigurime të mirëfillta shëndetësore, ende nuk kemi ligjin për sigurime shëndetësore… që tri vjet po presim për këtë ligj”.

“Në segmente të caktuara ka ndonjë përmirësim aty-këtu, por, realisht, në aspektin menaxherial ka rënie, në cilësi ka rënie… gjasat janë të vogla, pa sigurime të mirëfillta shëndetësore dhe pa një ligj të mirëfilltë dhe një riorganizim komplet të shëndetësisë kosovare është vështirë të pritet ndonjë përmirësim në shëndetësi”, është shprehur Dreshaj.

Se sa e vë në rrezik Kosovën ikja e profesionistëve shëndetësorë, ai ka thënë se vetëm gjatë vitit 2023, rreth 150 mjekë e kanë lëshuar Kosovën.

“Këtë dukuri e kemi në kohën e fundit, në 3 vitet e fundit po ballafaqohemi me ikjen e një numri të konsiderueshëm të mjekëve të rinj, mjekëve me perspektivë, veç vitin e kaluar sipas Odës së Mjekëve diku rreth 150 e kanë lëshuar Kosovën. Qeveria të gjejë një metodë si t’i obligojë mjekët e rinj që të jenë në vend, ka metoda të ndryshme…”, ka theksuar deputeti i AAK-së.

Ndërkohë, Dreshaj ka folur edhe për koalicionin e AAK-së me Nismën Socialdemokrate. Ka thënë se 2024-ta do të jetë vit i zgjedhjeve.

“Ky vit është vit zgjedhor, koalicionet e mundshme janë mes Nismës dhe AAK-së, por edhe mund të jenë edhe me partitë e tjera. Nëse vazhdon kjo mendësi e Qeverisjes po, ka nevojë për një front opozitar. Ky koalicion do të përfaqësohet me dyfishin e deputetëve që ka sot. Pretendojmë që të jemi të parët dhe ta marrim qeverisjen e vendit”.

“Deri më sot ka negociata, por nuk ka ndonjë vendimmarrje ende. Ka biseda, njëherë nuk jemi duke biseduar me partitë e mëdha, PDK, LDK. Një qeverisje e tillë nuk i duhet Kosovës, sepse e ka futur Kosovën në një qorrsokak me sanksione”.

Deputeti opozitar ka shtuar se me këtë “kryeneçësi” të qeverisë, bashkësia ndërkombëtare po e ndëshkon Kosovën çdo ditë e më shumë.