Duda Balje: E kemi në duar Kodin Civil, nuk ka ndryshuar asgjë – votoj kundër

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste që do ta ketë përkrahjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që Kodi Civil të hidhet sërish për votim në Kuvend.

Kjo, për shkak që shumë prej deputetëve të pushtetit kishin votuar kundër këtij kodi.

Qëndrim kundër, kishte pasur edhe deputetja e grupit multietnik, Duda Balje.

Balje, për Front Online ka deklaruar se e kanë në tavolinë Kodin Civil, dhe se nga ajo që kanë parë nuk ka asnjë ndryshim.

“Qeveria nuk ka ndryshuar asgjë dhe ne e kemi mbi tavolinë Kodin Civil i cili është praktikisht i njëjtë dhe vota ime është e njëjtë edhe unë jam 100% e sigurt që deputetë që unë i njoh prej Vetëvendosjes nuk do të ndryshojnë qëndrim”, është shprehur ajo për Front Online.

Deputetja Balje, ka deklaruar se edhe deputetët e VV-së, që ishin kundër nuk do të ndryshojnë qëndrim.

“Me sa unë e di kolegët e mi prej VV-së, ata nuk ndryshojnë qëndrim dhe nuk e di se ku i ka marrë këto informata ministrja Haxhiu, por unë e di se ne deputetët që kemi votuar kundër do të votojmë prapë kundër”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Gjatë ditës Front Online ka folur edhe me deputetë të VV-së, Gramos Agushollin dhe Ekrem Mustafën.

Që të dy kanë thënë se nëse nuk ajnë bërë ndryshime, do të votojnë përsëri kundër.

Kundër, Projekt Kodit Civil në herën e parë kanë votuar këta deputetë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV), Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.