Durrësi një ditë pas tërmetit, pamje nga droni (video)

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe mbi 650 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur dje Shqipërinë.

Mediumi shqiptar A2 CNN, ka zbuluar disa pamje me dron që shihet gjendja e njërit nga qytetit të prekur nga ky tërmet, Durrësit pas kësaj fatkeqësie.

Në këto pamje shihet se disa ndërtesa janë rrënuar e disa të tjera janë dëmtuar.

Nga ky tërmet janë prekur edhe Kurbini, Thumana e Lezha. Sipas informacioneve nga mediat shqiptare deri më tani në Bashkinë Kurbin janë të dëmtuara 18 pallate, banorët e të cilëve janë evakuuar dhe po qëndrojnë në çadrat pranë shkollës së mesme.

Ndërsa, në Bashkinë Lezhë ka dëmtime në strukturat ndërtimore në disa pallate dhe banesa.Dje, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në perimetrin e Tiranës dhe Durrësit, në zonat më të prekura nga tërmeti.

Në mesin e viktimave, janë edhe dy qytetarë nga Kosova, vëllezër nga Komuna e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit.

Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4. Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë prej 5.0 u shënua në Shqipëri në orën 14:10.

Pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ka njoftuar se mësimi në mbarë vendin do të ndërpritet për dy ditë.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

Tërmeti i cili goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës, është më i fuqishmi që ka goditur Shqipërinë që nga viti 1926.