Dy adoleshentë palestinezë sulmojnë me thika policin izraelit në Jerusalem, njëri prej tyre qëllohet për vdekje (video)

Dy adoleshentë palestinezë kanë sulmuar me thika një polic izraelit në qytetin e vjetër të Jerusalemit, ku njëri prej tyre është vrarë nga të shtënat me armë, ka njoftuar policia izraelite.

E kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin e sulmit që është transmetuar në një televizion izraelit, ku shihen dy të rinjtë duke iu afruar policit dhe befasisht nxjerrin thikat dhe fillojnë ta therin, transmeton Telegrafi.

Si rezultat i këtij veprimi, kolegët e policit janë detyruar t’i qëllojnë me armë. E sipas policisë dyshja ishin adoleshentë duke mos precizuar saktë moshën e tyre.

Në anën tjetër zëdhënësi i policisë Miki Rosenfeld, ka njoftuar se sulmuesi tjetër është dërguar me urgjencë në spital.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministria e shëndetësisë së Palestinës, që ka konfirmuar se njëri nga dy adoleshentët është vrarë.