Dy të infektuarit me koronavirus në Malishevë janë vëllai dhe motra e 37-vjeçares

Në Kosovë ka shkuar në nëntë numri i të prekurve nga koronavirusi.

Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur gjendje emergjente të shëndetësisë publike pasi që numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në nëntë, raporton lajmi.net.

Tre persona të cilët janë raportuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë nga Malisheva kurse një është nga komuna e Podujevës.

“Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës”, ka bërë të ditur ministri Vitia.

Lajmi.net, ka marrë vesh se dy prej të prekurve me koronavirus janë vëllai dhe motra e 37-vjeçares e cila kishte rezultuar pozitiv në testet e COVID-19.

Në anën tjetër edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka bërë të ditur për lajmi.net, se tashmë tre persona janë në karantinë në Prishtinë nga Malisheva.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se të tre personat e izoluar janë familjar.

Begaj po ashtu bëri të ditur se deri më tani gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Tre persona nga Malisheva janë në lidhje familjare me atë rastin e parë, të tret janë në lidhje familjare edhe janë të izoluar në Prishtinë janë në karantinë. Kam biseduar më herët me mjekët dhe më thanë që gjendja e tyre është e qetë dhe të mos bëhemi merak. Se si do të zhvillohet kjo gjendje më tutje nuk e di askush dhe nuk mund të parashikojmë asgjë. Megjithatë janë tre persona të Malishevës në karantinë dhe kanë lidhje familjare me personin e parë”, ka treguar Begaj.