Dy vjet nga njoftimi i ZPS-së për aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ende as aktakuza e plotë nuk u është dorëzuar

Sot u bënë dy vjet që kur Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi se ka deponuar aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe deputetit Rexhep Selimi, me pretendimin se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në njoftimin e bërë publik nga Zyra e Prokurorit Special, më datë 24 qershor të vitit 2020 thuhej se aktakuzat përmbajnë dyshim për përgjegjësi penale për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ndonëse kanë kaluar dy vjet nga ky njoftim për aktakuzë, ende nuk ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ky proces është stërzgjatur dhe ata po mbahen në paraburgim që nga nëntori i po atij viti, shkruan Demokracia.com.

Stërzgjatja e këtij procesi është kritikuar vazhdimisht edhe nga mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së dhe njohës të çështjeve të drejtësisë.

Krahasuar me çdo shtet, jo vetëm të ish-Jugosllavisë, por kudo që ka pasur konflikte të armatosura dhe luftëra në botë, lufta e UÇK-së ka kaluar nëpër filtra të shumëfishtë ndërkombëtarë dhe është shqyrtuar shumë herë nga mekanizmat më të avancuar të hetimeve të tyre.

Drejtori ekzekutiv i Shkollës së Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimores, profesori i njohur Ivan Sascha Sheehan, me një editorial të publikuar në “News Week” goditi Bashkimin Evropian, i cili Gjykatën Speciale tha se e ka shndërruar në mjet për t’i kthyer pikëpamjet e veta në vepër, duke i eliminuar politikanët me të cilët nuk pajtohet. Nga një gjykatë që synonte të administronte drejtësinë për krimet e së kaluarës, sipas tij, ajo tashmë është bërë mjet i bashkësisë ndërkombëtare për politikën e saj në të tashmen, duke e administruar padrejtësinë.

Krimet e pretenduara se janë kryer gjatë luftës në Kosovë janë hetuar nga gjashtë nivele të ndryshme gjyqësore: vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Ato u hetuan dhe gjykuan nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, nga UNMIK-u, EULEX-i, Prokuroria Speciale e Kosovës (Departamenti për Krime Lufte) dhe gjykatat e Republikës së Kosovës. Krimet e pretenduara të shqiptarëve u fabrikuan, u hetuan dhe u gjykuan edhe nga vetë Serbia, e cila barbarisht kreu mijëra krime në Kosovë. Ato i hetoi dhe gjykoi Departamenti për Krime të Luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit. Por, për të mos u mjaftuar me kaq, ato u hetuan dhe po gjykohen edhe nga seria e gjykimeve me juridiksion të përzier të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

Madje, edhe vetë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, para tri viteve kishte konfirmuar se rregullat e procedurës nuk lejojnë që paraburgimi në Hagë të zgjatet më shumë se një vit.

Ajo kishte thënë se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

“Andaj kemi ardhur në përfundim se paraburgimi nuk mund të zgjatë më shumë se një vit. Duhet të shqyrtohet vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme do të mund të zgjatet, andaj është me rëndësi që çdo dy muaj po muaj paraburgimi duhet të shqyrtohet”, ishte shprehur Trendafilova dy vjet më parë, në një intervistë për një televizion kosovar.

Tutje, ajo kishte thënë se nëse vonesat ndodhin për arsye të performancës së dobët nga prokurorët, atëherë të akuzuarit mund të lirohen. Këtë gjë, Trendafilova e kishte potencuar si propozim shumë i rëndësishëm.

Konfirmimi i aktakuzës për Thaçin dhe të tjerët

Ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ende nuk u është dorëzuar as aktakuza e plotë dhe dy vite pas, ende nuk janë mbyllur hetimet, ndonëse ata po mbahen në paraburgim.

Aktakuza kundër katër të akuzuarve është konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe është bërë publike më 5 nëntor 2020.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Në aktakuzën e redaktuar pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Gjykata Speciale, si erdhi deri tek themelimi i saj?

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Deputetët e parlamentit të Kosovës miratuan me 03 gusht 2015, me shumicë votash, ndryshimet kushtetuese, për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Pas një seance maratonike që nga mëngjesi, pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

Amendamentin për ndryshimin e kushtetutës, që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, e prezantoi para deputetëve kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai kishte thënë se partneriteti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe mbi këtë bazë Kosova duhet t’u përgjigjet obligimeve ndërkombëtare dhe një nevoje për të dëshmuar luftën e pastër dhe të drejtë, që zhvilloi UÇK-ja.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagën u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK’ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Disa vite më pas, vetë njeriu që e hartoi raportin foli e tha se Serbia dëshiron ta vrasë dhe ai po ruhet nga Policia. Kjo mbrojtje speciale u vu në veprim pas njoftimit për planet e një grupi të agjentëve ekstremistë të shërbimit sekret serb. Me sa duket plani ishte që të fajësohej Kosova për krimin. Si hetues special, Marty kishte ushtruar akuza të rënda kundër ish-kryeministrit dhe ish -presidentit Hashim Thaçi.

Pas këtyre fakteve dhe pabazueshmërinë e raportit të Dick Martyt, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se në shtator do t’i drejtohet Këshillit të Evropës nëpërmjet një rezolute.

“Ne jemi duke e përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe unë do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues në këndvështrimin tim dhe tonin që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martyt, si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe të trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse, duke pasur parasysh që në KS të OKB Rusia ka goditur sërish dhe duke pasur parasyh që në aktakuzën ndaj Hahsim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk ka edhe asnjë fakt të lidhur me raportin e Dick Martyt, që ishte gjithë rruga që u mor shkas për të shkuar deri tek Gjykata Speciale. Për këtë dikush duhet të hapi veshët, të dëgjojë, bota duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij Tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai Tribunal u formulua për t’i dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty. S’ka asnjë gjë në aktakuzë. Zero. Dhe ne kemi të gjithë të drejtën që të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën dhe shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, tha Rama.