Dyshime për procesin e ndarjes së bursave nga MASHTI

Dhjetëra persona kanë kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së studentëve përfitues të bursës.

Një thirrje e Ministrisë së Arsimit, aktivizoi qindra studentë të aplikojnë, për përkrahje financiare.

Ky institucion do t’i mbështeste studentët e pranuar në universitete të ndryshme në botë.

Kjo formë e subvencionimit do të merrte parasysh gjendjen financiare të studentëve.

Mirëpo me të publikuar listën e përfituesve, filluan edhe ankesat për këtë proces.

Bujar Fera, thotë se vajza e tij, Esma do të duhej të ishte në listën e përfituesve dhe për këtë rendit disa arsye.

Në mesin e tyre edhe gjendja financiare, për shkak që kjo familje paguan mbi 10 mijë euro, për studime.

Fera thotë që janë favorizuar studentë të cilët kanë pasur bursa të plota të studimeve.

Të shqetësuar u panë edhe prind të tjerë, në komente në faqen zyrtare të ministres Arbërie Nagavci.

Dikush kërkoi arsyetim pse vajza e tij nuk është përfituese e bursës.

E të tjerë po ankohen që krahas kostos së lartë që paguajnë për shkollimin e fëmijëve, nuk po përkrahen nga ministria.

Një nga komentuesit, vuri në pah se disa nga përfituesit e subvencionimit, kanë bursa të plota në universitetet ku studiojnë.

Duke ju referuar këtyre ankesave, televizioni T7 ka dërguar pyetje në adresën e Ministrisë së Arsimit gjatë së mërkurës.

Mirëpo nga ky institucion nuk janë përgjigjur gjatë ditës.