Dyshimet për dallaveret e SHSKUK-së përfundojnë në Prokurori

Një sërë rastesh të dyshimta janë raportuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Shërbimin Spitalor kosovar që drejtohet nga Valbon Krasniqi. Ky institucion ka konfirmuar se rastet i ka dërguar në Prokurori, e këta të fundit që ato i kanë shpërndarë nëpër prokuroritë kompetente.

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA), ka nxjerr katërmbëdhjetë shkelje që dyshohet se janë bërë nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar gjatë vitit 2021. Bazuar në të dhënat e ZKA-së, Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale kanë keqmenaxhuar buxhetin. Shqetësuese janë gjetjet në procesin e tenderëve.

Keqpërdorimet me tendere, mungesa e raporteve për pranimin e mallrave, lidhjet jolegjimite të kontratave, pagesat nga kategoritë e gabuara, mos respektimi i orarit të punës janë disa prej shkeljeve më serioze të SHSKUK-së.

Shërbimi Spitalor i Kosovës shpërbleu me tenderë dy kompani të papërgjegjshme. Në një rast, auditori përmend Spitalin e Gjilanit, se si e shpërbleu me tenderë një kompani, ani pse nuk plotësonte kushtet.

Tenderi tjetër që u dha kundër rregullave të prokurimit e që ka të bëjë me “Shërbime funerali Covid -19”.

“Në procedurën e prokurimit “Shërbime funerali Covid -19” në vlerë 158,000€, kemi vërejtur se dy nga nëntë kompanitë që kishin ofertuar (kompania “Funerali ” dhe ” Ngushëllimi”), janë palë të ndërlidhura. Bazuar në dokumentacionin e ofertuar, kemi parë që, pronari i kompanisë “Ngushëllimi” ka aksione edhe në kompaninë ” Funerali” dhe po ashtu i njëjti mban pozitën e drejtorit menaxhues në të dyja kompanitë”.

Tender ky që kapte vlerën e 158 mijë euro.

Kompania ‘Funeral’, mbanë pronësinë e Fahrije Ruhanoviq gruas së bizmesmenit Blerim Nreci, i cili njëherit është edhe drejtor menaxheus në këtë kompani.

Të dy këto kompani që kishin të njëjtin pronar dhe drejtor menaxhues kishin vënë në lajthitje anëtarët e komisionit vlerësues të prokurimit në SHSKUK.

Gjetjet e auditorit flasin edhe për pagesa nga kategoritë e gabuara.

“Shpenzime në vlerë 391,693 € (QKUK- 257,937 euro, Spitali i Gjilanit 40,749 euro, Spitali i Vushtrrisë – 33,864 euro, Spitali i Ferizajt – 14,449 euro, Spitali i Prizrenit – 13,604 euro, Spitali i Pejës – 12,450 euro, Spitali i Mitrovicës – 9,450 euro dhe QSKUK – 9,190 euro), që për nga natyra i takonin kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, ishin ekzekutuar nga kategoria e investimeve kapitale. Ato kishin të bënin me blerjen e bombolave të oksigjenit, furnizime me material mjekësor, pajisje mjekësore, instrumente mjekësore etj”, thuhet nga ZKA.

Një konstatim tjetër i Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka të bëjë me atë se si SHSKUK angazhoi punonjës shëndetësorë nëpër spitalet rajonale pa procedura.

52 specialistë, 30 specializantë, si dhe dy teknikëve u angazhuan për mbajtjen e kujdestarive në spitalet rajonale pa asnjë procedurë. Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“SHSKUK, përkatësisht spitalet rajonale gjatë vitit 2021, kishin angazhuar stafin shtesë shëndetësor prej 52 specialistëve, 30 specializantëve, si dhe dy teknikëve për mbajtjen e kujdestarive. Angazhimi i këtyre punonjësve ishte bërë në forma të ndryshme, varësisht nga spitalet regjionale, ku disa spitale kishin aplikuar kontrata pune për kohë të caktuar, marrëveshje bashkëpunimi, apo përmes vendimeve. Kjo ishte në kundërshtim me ligjin përkatës i cili specifikon që marrëveshjet për shërbimet e veçanta duhet të lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik. Vlera totale e pagesës për të angazhuarit gjatë vitit 2021 ishte 347,702€”, theksohet në raport.

Mungesa e raporteve të pranimit të mallrave është një gjetje tjetër e identifikuar nga ZKA. Pagesat kapin shifrat e afro 8 milionë eurove.

“Nga testimi i pagesave kemi vërejtur se në 61 raste, në vlerë prej 7. 864. 454 eurosh, edhe pse kishte raport të pranimit nga komisioni i pranimit të mallit, mungonte raporti i pranimit të mallit, i përgatitur nga menaxherët e kontratave”, thuhet në këtë konkluzion.

Problematika tjetër të cilën e ka trajtuar ZKA lidhet me vazhdimin e kontratës së punës në mungesë të konkursit publik. Kjo ka ndodhur me njërin anëtar të Bordit të ShSKUK-së.

“SHSKUK gjatë vitit 2018 kishte lidhur kontratë punë tri vjeçare me anëtarin e shtatë të Bordit Drejtues – Drejtorin Financiar / Ekspertin e Ekonomisë dhe menaxhmentit shëndetësor për një periudhë tre vjeçare, me mundësi vazhdimi. Pas skadimit të kontratës së punës në korrik 2021, Bordi i ri Drejtues i kishte vazhduar kontratën e punës të njëjtit edhe për tri vite të tjera bazuar në vlerësimin e performancës. Kjo në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, i cili specifikon se mandati i anëtarëve të Bordit Drejtues zgjatë tri vite dhe i njëjti duhet të zgjidhet në bazë të konkursit publik”, deklaron auditori.

Ndërkohë kjo kishte ndodhur për shkak se Bordi Drejtues kishte vlerësuar se të njëjtit mund t’i vazhdohet kontrata e punës.

Caktim i të punësuarit në vendin e punës në kundërshtim me përgatitje specialistike – është një gjetje tjetër. Rasti konkret në spitalin e Mitrovicës flet për një specialiste të diplomuar në Pedodonci dhe Stomatologji. Ky spital nuk e posedon repartin për fushën e lartën cekur.

“SHSKUK gjatë vitit 2018 kishte lidhur kontratë pune tre vjeçare me specialisten e diplomuar në lëmin Pedodonci dhe Stomatologji preventive të cilës i ishte caktuar vendi i punës në Spitalin e Mitrovicës, përkundër faktit që ky spital nuk posedon Repart të Stomatologjisë. Si rezultat i mungesës së kushteve elementare të punës për ushtrimin e profesionit të saj, zyrtarja në fjalë nuk mund të kryej shërbimin për të cilën paguhet. Vlera e pagave të paguara për zyrtaren përkatëse për vitin 2021 ishte në vlerë 9,846€. Sipas SHSKUK, kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti i atëhershëm kishte rekomanduar këtë kandidate për specializim në I stomatologji duke e ditur që shërbimi specialistik nuk ofrohet në kuadër të spitalit”, thuhet nga auditori i përgjithshëm.

Ushtrimi i pozitës drejtuese me punë sekondare. Në këtë pikë ZKA sqaron se si menaxherët në QKUK, që punojnë edhe në Universitetin e Prishtinës e nga aty marrin pagë primare.

“QKUK në rastin e përzgjedhjes së drejtoreshës së Pediatrisë kishte nënshkruar kontratë të punës me orar të plotë, përderisa në listën e pagave e njëjta paguhet si e punësuar me gjysmë orari (20 orë punë), kjo në kundërshtim me kriterin përkatës në Statut, i cili përcakton se drejtorët e klinikave dhe shërbimeve klinike duhet të jenë me orar të plotë”, thuhet në raport.

ZKA po ashtu vërejtje ka pasur edhe për mungesën e dëshmive për vijueshmërinë e orarit të punës.

Kjo është vërejtur të paktën në 15 raste.

“Nga testimi i vijueshmërisë së stafit, kemi vërejtur se në 15 raste nuk ka dëshmi për vijueshmëri të orarit të punës. Kjo për shkak që mungon një mekanizëm funksional i monitorimit të regjistrimit të plotë të hyrje daljeve të stafit gjatë orarit të punës, përkundër faktit që sistemi elektronik i regjistrimit të vijueshmërisë është funksional. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së monitorimit të mirëfilltë të stafit nga ana e menaxherëve drejtues për respektimin e orarit të punës”.

Arsyetimi nga SHSKUK thotë se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së monitorimit të mirëfilltë të stafit nga ana e menaxherëve drejtues për respektimin e orarit të punës.

Për gjithë këto konkluzione, ku dyshohet për mashtrim tanimë Zyra Kombëtare e Auditimit ka ndërmarrë veprime. Kështu është konfirmuar nga kjo zyrë për Gazetën Insajderin.

“Në kuadër të kompetencave të saj, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes Departamentit për Çështje Juridike dhe kundër Mashtrimeve, për sezonin auditues 2021-2022 ka analizuar raportet e auditimit dhe informatat që kanë dalur nga puna audituese. Për rastet e identifikuara që përmbajnë elemente të mundshme të mashtrimit apo korrupsionit i ka informuar organet kompetente të drejtësisë. Sikurse raportet e tjera, këtij procesi i është nënshtruar edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së për Insajderin.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka bashkëpunim të mirë dhe komunikim të rregullt me Prokurorinë e Shtetit. Nga ky institucion kemi pranuar konfirmimin për pranimin e të gjitha rasteve të dërguara nga ZKA-ja”, thuhet nga ky institucion.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Prokurorinë e Shtetit. Zëdhënësi Ekrem Luftiu konfirmoi se tanimë janë duke u marrë me rastet.

“Ju njoftojmë se në vitin 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar gjithsejtë 76 raste nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Të gjitha këto raste janë dërguar në prokuroritë kompetente për trajtim të mëtutjeshëm sipas dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Insajderin.

Për gjetjet e auditorit si dhe për të kuptuar nëse dikush nga ta është intervistuar nga Prokuroria gjegjëse, Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga drejtoria e ShSKUK-së, por të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.