Dyshohet se vrau gruan dhe e varrosi fshehurazi afër Ibrit, FSK-ja në kërkim të trupit

Trupi i një gruaje që u vra nga burri në Vushtrri, dyshohet se është varrosur diku në territorin e Mitrovicës.

Trupi i saj u varros për t’u fshehur, e kjo ka vënë në lëvizje institucionet.

Siç raportohet në media, me kërkesë të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, FSK-ja ka filluar një operacion për gjetjen e trupit. Në këtë kërkim janë angazhuar njësi të kombinuara të kërkim-shpëtimit të FSK-së.

Institucionet përgjegjëse lidhur me këtë operacion kërkimi, nuk kanë dhënë detaje.

Sipas fotografive, shihet se trupi është duke u kërkuar pranë Lumit Ibër andaj janë angazhuar edhe njësitet e kërkimit në ujëra, e po ashtu edhe njësiti i qenve K9, që funksionon në kuadër të FSK-së.

Nuk dihen shumë detaje për rastin pasi institucionet po e mbajnë të izoluar rastin, mirëpo dyshohet se bëhet fjalë për një vrasje që u krye gjatë kësaj vere në Vushtrri.