E denoncoi publikisht Klanin, ministrja Hajdari ‘fsheh’ emrat e pesë bizneseve tjera

Rozeta Hajdari konfirmoi pezullimin e certifikatave të pesë bizneseve të cilat dyshohet se janë regjistruar me përmbajtje kundër kushtetuese, disa ditë pas konfirmimit të vendimit për pezullimin e biznesit të mediumit Klan Kosova.

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, e cila e denoncoi publikisht Klan Kosovën për shkelje kushtetuese, ka vendosur t’i fsheh emrat e bizneseve të cilave sot u është pezulluar licenca.

E para e dikasterit të tregtisë në ekzekutiv, vetëm ka njoftuar se ARBK-ja ka filluar hapat administrative ndaj pesë bizneseve, por nuk ka dhënë informata më të detajuara lidhur me vendimin.

Sipas ministres Hajdari, bizneseve të cilave sot i është pezulluar certifikata në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”.

Duke mos dhënë më shumë detaje, Hajdari ka theksuar se bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.

Por, Hajdari nuk kishte vepruar njëjtë edhe me biznesin Klan Kosova, vendimin për pezullimin e licencës të së cilës pushteti e ka përdorur për sulm ndaj mediave.

Më 15 qershor të këtij viti, me nxjerrjen e vendimit për pezullimin e licencës së biznesit të mediumit, ajo kishte lajmëruar publikisht për shkeljet e pretenduara të Klan Kosovës.

Ajo, pas konfirmimit të vendimit kunër Klan Kosovës javën e kaluar, ka bërë thirrje të hetohet Klan Kosova dhe disa zyrtarë të ARBK-së.

Ndryshe, gazetarë, kameramanë, pjesë të shoqërisë civile dhe shumë të tjerë kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë për vendimin e MINT-it ndaj Klan Kosovës.