E vrau ish-kryeministrin me një armë të punuar me dorë – çfarë dihet rreth të dyshuarit të ngjarjes në Japoni

Gjatë ditës së sotme një ngjarje ka tronditur Japoninë pasi ish-kryeministri i vendit, Shinzo Abe u qëllua me armë zjarri në një fushatë politike dhe si rrjedhojë vdiq në spital.

Abe u qëllua dy herë teksa po mbante një fjalim në një rrugë në qytetin e Nara-s të premten në mëngjes.

Lidhur me këtë rast zyrtarët e sigurisë kanë arrestuar të dyshuarin 41-vjeçar i cili tani gjendet në paraburgim.

I dyshuari, me emrin Tetsuya Yamagami, e pranoi se e qëlloi Abe-n me një armë të bërë vetë dhe ka potencuar se kishte inat ndaj një “organizate specifike”, tha policia.

Yamagami besonte se Shinzo Abe ishte pjesë e atij grupi, kjo është arsyeja pse ai e qëlloi atë.

Disa armë të tjera të punuara me dorë, të ngjashme me ato të përdorura në sulm, ishin konfiskuar pas një kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit, thanë oficerët e policisë në një konferencë për shtyp.

Çfarë dihet rreth të dyshuarit?

Tetsuya Yamagami, 41-vjeçar që dyshohet të ketë kryer sulmin është banor i qytetit Nara.

Ai raportohet të jetë një ish-anëtar i Forcave Detare të Vetëmbrojtjes së Japonisë, marinës së vendit, por ministria e mbrojtjes nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë.

Transmetuesi japonez NHK raporton se Yamagami i tha policisë se ishte “i pakënaqur me Abe dhe donte ta vriste”.

Dëshmitarët okularë thanë se panë një burrë që mbante atë që ata e përshkruanin si një armë e madhe dhe qëlloi dy herë në drejtim të Abe-s nga pas.

Fotografitë e marra ndërsa i dyshuari po kapej tregojnë atë që duket si një armë e improvizuar e shtrirë në tokë aty pranë.

Është e paqartë se si sulmuesi mori vesh paraprakisht për pjesëmarrjen e Abe-s në fushatë, pasi vizita u konfirmua vetëm mbrëmë vonë.