Edhe 10 të shëruar sot tek Infektivi, shkon në 99 numri i personave që fituan betejën me COVID-19, Rama: Lajm i mirë

10 persona të tjerë të infektuar me koronavirus janë shëruar ditën e sotme duke e çuar në 99 numrin e personave që fituan betejën me COVID-19.

Lajmi i mirë është dhënë nga kryeministri Rama.

“LAJM I MIRË: 10 TË SHËRUAR SOT”, shkruan Rama.

Në një reagim të saj në rrjetet sociale, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke falenderuar mjekët dhe infermierët për punën e palodhur, e ka cilësuar këtë si një lajm të mirë. Manastirliu thekson se të shëruarit ishin pacientë të Infektivit.

“Lajm i mirë 10 të shëruar sot, pjesa më e madhe e tyre, pacientë që po trajtohen në spitalin infektiv #QSUT

Faleminderit për punën e palodhur të gjithë mjekëve dhe infermierëve”, shkruan Manastirliu.

Në 24 orët e fundit 112 persona janë testuar për koronavirus, nga të cilët 27 raste të reja janë konfirmuar pozitiv, duke çuar në 304 numrin total të të prekurve. Po ashtu, ka ndërruar jetë një 75-vjeçar duke çuar në 17 numrin e viktimave.

Në Infektiv janë të shtruar 73 persona. 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Mosha mesatare të të infektuarve vijon të jetë 50-vjeç. E ndërsa nuk ka pasur ndryshime as harta e qyteteve të prekura të cilat janë: Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër me raste të reja.

Gjatë ditës së sotme, janë shëruar edhe 2 infermierë të prekur nga COVID-19. Infermierët kanë rezultuar negativ pas testit konfirmues të kryer, duke çuar në 15 numrin e personelit mjekësor të shëruar në Shqipëri.

Shqiptarja.com