Edhe Haradinaj kërkon largimin e UNMIK-ut

Pas deklaratës së Këshilltarit të lartë për Çështje të Posaçme Politike të ShBA-së, Jeffrey DeLaurentis, si dhe Ambasadës Amerikane, mbi tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova, ka reaguar edhe ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj shfrytëzoi llogarinë e tij në Facebook për të thënë se misionit të UNMIK-ut duhet t’i jipet fund, dhe se i njëjti vetëm sa po vazhdon të konfuzojë të gjithë.

“Vazhdimi i misionit të UNMIK është vazhdim i konfuzionit për të gjithë. Ndërprerja e mandatit të këtij misioni është i nevojshëm dhe krijon qartësi institucionale”, ka thënë ish-Kryeministri i vendit.

Ndërkaq mbrëmë, Jeffrey DeLaurentis u shpreh se UNMIK e ka përmbushur qëllimin dhe se duhet mbyllur.

“Ngjarjet e fundit përsëri demonstruan se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij siç është përcaktuar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij”, ishte shprehur DeLaurentis gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbrëmë.