Edhe kryeministri Hoti përshëndet rifillimin e dialogut me Serbinë: Hap kyç për normalizim të marrëdhënieve!

I Dërguari i Posaçem i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell, përmes një postimi të bërë në Twitter ka konfirmuar se më 27 Qershor nis dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shkruar se ka marrë angazhim nga të dyja shtetet për ta filluar dialogun dhe për t’u ndalë fushata e mosnjohjes.

Pas, presidentit Thaçi, njoftimit të ambasadorit Grenell i ka reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Ky i fundit ka thënë se vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

“Aktivitetet e koordinuara me partnerët tanë, veçanërisht me Qeverinë e SHBA-së dhe Richard Grenellin, ka dhënë rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalojë fushatën e saj të çnjohjeve.

Vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti.