Edhe LDK-ja e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky Ligj bie ndesh me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

“Sot në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për
vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë”, tha Gashi.

“Ne si LDK vlerësojmë se ky Ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, që është Marrëveshja për Stabilizim Asociimit dhe në kundërshtim me ligjet tjera”, tha Gashi.

PDK-ja gjatë të premtes e kishte dorëzuar ligjin e njëjtë duke shprehur besim se gjykata do ta rrëzonte atë.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë pas dorëzimit se ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Sipas tij, me këtë ligj, legjitimohet politizimi i administratës publike.

“Sot me kërkesë të GP të PDK-së, bashkë me kolegun tim, Përparim Gruda kemi ardhur në Kushtetuese për të paraqiture kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Zyrtarët Publikë. Ne mendojmë që ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese jo vetëm ta pezullojë por edhe ta shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publik. Me këtë ligj po legjitimohet politizimi i administratës publike dhe po nënshtrohen dhe degradohen shërbyesit civilë. Gjithashtu e kemi parë që në ligj përmendet fraza përshtatshmëri që asnjëherë nuk është definuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Është shkelur edjhe marrëveshja për MSA-në”, ka thënë Lushtaku./Fokusi.info/