Edhe një monopol që duhet zhdukur – monopoli në tregun e teksteve shkollore

Këto ditë po flitet për monopolin në homologimin e automjeteve. Ka shenja se do të eliminohet në favor të konkurrencës dhe liberalizimit të tregut, shkruan Fokusi. info.

Mirëpo, monopole korruptive ka edhe në veprimtari tjera. Një monopol shumë i dëmshëm 20 vjeçar është në fushën e teksteve shkollore. Tash 20 vjet nxënësit e Republikës së Kosovës në një lëndë të caktuar mësojnë nga një libër i vetëm, të cilin me leje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka të drejtë ta botojë vetëm një shtëpi botuese.

Fakti se MASHT-i mund (sikurse thotë ligji aktual për tekstet shkollore) ta përzgjedhë tekstin e vetëm një shtëpie botuese, e monopolizon tregun e teksteve shkollore, shkruan Fokusi.info.

Çka thotë ligji për tekstet shkollore i vitit 2006 (Ligji Nr. 02/L-67)?

Në nenin 8, pika 2 të këtij ligji thuhet: “Recensentët mund të propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim, duke siguruar burime alternative të informacionit dhe duke u ofruar shkollave mundësinë e zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit të tekstit që dëshirojnë të përdorin”.

Pra, ky ligj thotë se recensentët MUND të propozojnë. Kurse, de-monopolizim do të ishte sikur të precizohet me ligj nevoja e domosdoshme që MASHT-i të shpallë konkurs (ose të jetë mundësia që kurdoherë të konkurrohet me një tekst të caktuar shkollor në MASHT) deri sa recensentët të përzgjedhin dy a më shumë tekste shkollore për një lëndë. Në mbështetje të këtij ligji për tekstet shkollore MASHT-i gjatë këtyre 20 vjetëve dhe në ditët e sotme ka kultivuar korrupsion milionësh, ndërsa çmimin më të madh të këtij korrupsioni e kanë paguar nxënësit tanë, me fjalë tjera arsimi në përgjithësi.

Konsiderojmë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta procedoj ligjin e ri për tekstet shkollore në Kuvendin e Kosovës, i cili në thelb duhet të kishte DE-MONOPOLIZIMIN (E DYFISHT) të tregut të teksteve shkollore. Ky është kushti themelor për tekste cilësore dhe arma më e fortë kundër mega-korrupsionit të MASHT-it në përzgjedhjen e teksteve shkollore.

Për të kuptuar pse sot ekziston një monopolizim i dyfishtë në tregun e teksteve shkollore lexoni arsyetimin në vazhdim.

Sipas ligjit të vitit 2006 (Ligji Nr. 02/L-67), operatorët ekonomikë (shtëpitë botuese) aplikojnë me dorëshkrime në MASHT (monopolizimi i parë) dhe jo drejtpërdrejt autorët me dorëshkrimet e veta. Dhe, MASHT-i shpallë “kundërligjshëm” vetëm një tekst fitues (monopolizimi i dytë) për një klasë të caktuar.

Pasojat e këtyre normave janë:

E para, përzgjedhjen e parë të teksteve shkollore e bën biznesmeni – pronari i shtëpisë botuese, sepse ai vendos me cilin autor do të punoj dhe fare lehtë mund të ndodhë që shumë autorë të mirë të eliminohen në start, sepse nuk kanë gjetur një operator ekonomik për të bashkëpunuar.

E dyta, MASHT-i në procesin e përzgjedhjes së teksteve ka relacion me operatorët ekonomik “të pasur”, të cilët e kanë në radhë të parë interesin për të cilin ekzistojnë – përfitimin material. Në ligjin e ri do të ishte rrënjësisht më mirë sikur autorët të aplikojnë me dorëshkrime, në mënyrë që të vendosej relacioni ndërmjet MASHT-it dhe autorëve “të varfër”.

E treta, apetiti për mega-korrupsion në përzgjedhjen e teksteve shkollore rritet për shkak të monopolizimit të dyfishtë, me fjalë tjera – me faktin se udhëheqja e MASHT-it me marrëveshjen eventuale me vetëm me një person (me vetëm një shtëpi botuese) potencialisht mund vendosë për fatin e të gjitha teksteve, sepse “përfitimi” do të ishte i madh, i koncentruar.

E katërta, de-monopolizimi i teksteve shkollore është praktika bashkëkohore në botën e zhvilluar./Fokusi.info/