Edhe pas refuzimit nga LDK-ja, Vetëvendosje vazhdon ta arsyetojë ofertën për koalicion

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, përmes një shkrimi në facebook iu përgjigj kandidates për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanit.

Nagavci tha se argumentimi i tyre që duan ta shmangin garën e brendshme nuk qëndron, pasi fillimisht ishte Agim Veliu ai që e refuzoi ofertën e VV-së, pastaj Isa Mustafa e në fund edhe Vjosa Osmani.

Por, edhe pse u refuzua në mënyrë të trefishtë kërkesa e Albin Kurtit për listë të përbashkët, deputetja Arbërie Nagavci ka vazhduar ta arsyetoj këtë propozim.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Nagavcit në facebook:

Alternativën që ne i ofruam LDK-së për koalicion, së pari u refuzua nga Agim Veliu, pastaj nga zt. Isa Mustafa dhe së fundi foli dhe znj. Vjosa Osmani që në fakt deklaroj se mund të tejkalojmë gjithçka, përveç që ajo të jetë kandidatja për kryeministre.

Dhe argumenti i tyre se duan të shmangin garën e brendshme, nuk qëndron aspak.

Një listë e përbashkët, e cila ua jep mundësinë votuesve të të dyja subjekteve për ta votuar të preferuarin e tyre për kryeministër/re do të ishte përparësi për të dy subjektet pasi votat do të shkonin për koalicionin tonë.

Për më shumë mobilizimi i votuesve të të dyja subjekteve dhe atyre që janë të pavendosur, do ta rriste frontin kundër PAN-it. Kjo do të ishte konkurencë pozitive.