Edhe Vjosa Osmani sikurse Haradinaj, premton vizat për vitin 2020

Ndonëse nuk ka dhënë shumë deklarata publike kohëve të fundit, deputetja e zgjedhur e LDK’së, Vjosa Osmani, së fundi në një intervistë flet për pritshmëritë e vitit 2020, duke përmendur këtu edhe liberalizimin e mundshëm të vizave, njësoj siç premtoi ditë më parë Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Kandidatja e LDK’së për Kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për mediumin e njohur austriak ‘Der Standard’.

Gazetrit austriak, Osmani i është përgjigjur në lidhje me koalicion e mundshëm me Vetëvendosjen, duke u shprehur e bindur se ky do të arrihet, ani pse mes dy partive nuk ka pasur ndonjë takim ‘frytdhënës’ dhe po vazhdojnë me akuza publike ndaj njëra-tjetrës.

Sipas saj, një ndër prioritet kryesore të Qeverisë e cila me gjasë do ta ketë në krye Albin Kurtin, thotë se është ndalja e pensioneve për veteranët e rremë të UÇK’së.

“Do t’i ndalojmë pensionet e veteranëve, pensionet e gënjeshtarëve. Kosova nuk mund të zhvillohet duke mashtruar. E dimë që kjo mund të jetë e vështirë dhe e rrezikshme, por shumë më e vështirë për qytetarët është të mos bëjmë asgjë”, ka thënë ajo.

Përveç detajeve rreth programit të tyre të mundshëm në Qeveri me VV’në, Osmani ka folur edhe rreth liberalizimit të vizave, duke deklaruar se këtë e pret gjatë 2020’të, saktësisht në pjesën e parë të vitit, kur Presidencën e BE’së do ta kryesojë Kroacia.

Kujtojmë se njëjtë, ditë më parë u deklarua edhe Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i cili sërish premtoi vizat, duke dhënë edhe data se ato mund të heqen në fund të shkurtit ose fillim të marsit.

Por, i pari i AAK’së nuk ka hezituar aspak që deklarata të ngjashme të bëjë përgjatë gjithë vitit që po lëm pas, ai vizat i premtoi disa herë gjatë 2019’tës./gazetametro.net