Edi Rama e quan Albin Kurtin “patriot me pizhama”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për shengenin ballkanik dhe për ata që kanë dalë kundër, në këtë rast edhe Albin Kurti, duke thënë se patriot nuk mund të bëhet duke qëndruar me pizhame në shtëpi.

Rama teksa deklaroi sot se ka qenë ai iniciatori për projektin e shengenit të rajonit, tha se për këtë ka pasur shumë debate me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq për këtë çështje.

“Kush është kundër Shengenit rajonal, nuk më kupton. Shengeni rajonal është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime, nga ana jonë, qysh në ditët e para të procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri para pak muajsh nga presidenti i Serbisë me të cilin kam bërë debate. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë, nëse nuk bëjmë marrëveshje për lëvizjen e lirë. A do të bashkohen kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë? Kjo kupton heqje të atij trau. Kjo e vendos në pozicionin më të favorshëm Kosovën. Kosova po vetizolohet brenda kufijve. Mund të bësh dhe patriotin me pizhame dhe të rrish në shtëpi. Historia nuk shkruhet duke qëndruar në shtëpi dhe të bësh patriotin me pizhame”, theksoi ai.

Rama, ndonëse jo duke e përmendur me emër, këtë kritikë ia adreson fituesit të zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurtit, i cili para disa ditësh ishte në një intervistë në Top Channel, ku foli me tone të ashpra kundër kësaj nisme.

Këto përplasje po vënë në dritë përplasjet që kanë Rama e Kurti, ani pse ky i fundit në emisionin e lartëcekur, kishte thënë se ka afërsi me kryeministrin shqiptar dhe partinë e tij.