Selimi i reagon Haxhiut: Me deklasfikimin e pagesave, po rrezikoni mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i është përgjigjur akuzave të Ministres së Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, në lidhje me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të kundërligjshme, në një zonë urbane në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

Sot Albulena Haxhiu ka akuzuar ish-ministrin Selim Selimi se ka dhënë në shfrytëzimin një pronë të Ministrisë së Drejtësisë.

“Bëhet fjalë për një zonë urbane në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku bëhet fjalë për 2 hektar e 12 ari e 17 metra katror. Kontrata që është lidhur ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Nehat Thaçi dhe ish-ministrit Selim Selimi në njërën anë dhe kompanisë të regjistruar pas afatit përmban huqje ligjore ku baza që janë mbështetur nuk i jep të drejtën e dhënies në shfrytëzim të parcelës prej 2 hektar e 12 ari e 17 metra katror”, është thënë nga MD sot në konferencë.

Pas kësaj ka reaguar Selim Selimi, i cili ka thënë se këto akuza janë krejtësisht politike.

“Sot Ministrja e Drejtësisë ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë një sër akuzash rreth punës sime në Ministri me motive krejtësisht politike. Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”, ka shkruar ai.

Tutje Selimi ka reaguar edhe ndaj vendimit për deklasifkimin e pagesave për të akuzuarit në Hagë, duke thënë që po rrezikon mbrojtjen e të akuzuarave.

“Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.