Edon Zhegrova befason fëmijët në shkollën e futbollit “Piramida” (video)

Kur trajneri Arsim Prepolli u tregoi lojtarëve të tij se do të kenë mysafir special talentin e Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, emocionet e tyre ishin të mëdha.

Ata po prisnin me padurim ta shohin nga afër Zhegrovën, që të mërkurën vizitoi shkollën e futbollit “Piramida”.

Trajneri Prepolli u shpjegonte të rinjve hapat që i ka bërë në karrierë talenti nga Prishtina. Madje, u tha se në një moshë të re e ka stërvitur edhe Zhegrovën.

Zhegrova, para të rinjve të kësaj shkolle, tregoi edhe disa aftësi të tij që i bën shpeshherë edhe gjatë grumbullimeve me Kosovën dhe klubin e tij.

Pasi mësuan më shumë për Zhegrovën, të rinjtë e shkollës së futbollit “Piramida” u ngritën në këmbë dhe për pak minuta luajtën me të edhe një lojë futbolli, që përfundoi baras, 2:2.

20-vjeçari Zhegrova këshilloi të rinjtë të mos ndalen për ta realizuar ëndrrën që kanë.

Ai edhe për “Sportin në KTV” ka thënë se fëmijët duhet ta ndjekin ëndrrën për të bërë karrierë jashtë vendit.

Edhe trajneri Arsim Prepolli ka thënë se është i nderuar me vizitën e talentit Zhegrova.

Ai thotë se Kosova ka edhe shumë lojtarë të talentuar si Zhegrova, por sugjeron të rinjtë që të punojnë maksimalisht.

Se e kanë ëndërr të bëhen lojtarë si Zhegrova, nuk e fshehin as futbollistët e rinj.

Zhegrova është lojtar i Genkut të Belgjikës, por i huazuar te skuadra zvicerane Basel.

Që nga viti i kaluar është futbollist i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës.