Efekti politik i taksës

Qeveria e re e Kosovës pritet ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, për të cilën nuk ka ende një studim të plotë që vërteton numerikisht efektin e saj në ekonominë vendore, shkruan sot Zëri.

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka paralajmëruar se heqja e taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë do të pasojë një politikë të qartë reciprociteti me Serbinë. Në shpjegimin e Kurtit, reciprociteti do të aplikohet në mosnjohje të secilit element ekonomik, civil, administrativ ose politik që Serbia nuk e njeh në raport me Kosovën.

Në nëntor të vitit 2018 qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi taksën ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina pas një dështimi për anëtarësim në INTERPOL dhe nën jehonën e paralajmërimeve për çnjohje, që pasuan një fushatë të egër e shpesh korruptuese të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.