Ekipet e MBPZhR-së në terren për vlerësimin e dëmeve në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka dërguar në terren ekipin e saj, i cili në bashkëpunim me përfaqësuesit e Komunës së Pejës dhe Istogut, do të evidentojë dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga erërat e forta që kanë kapluar mbrëmjen e kaluar në këtë rajon.

Me këtë rast, ministri Besian Mustafa, ka thënë se duke marrë parasysh gjendjen aktuale në terren, me ç’rast këto zona të vendit janë dëmtuar nga erërat e forta, ministria që ai drejton, përmes këtyre ekipeve, do të evidentojë dëmet e krijuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Raportimet preliminare tregojnë për dëme kryesisht në serrat dhe stallat e fermerëve të këtij rajoni. Ekipet tona do të monitorojnë dhe vlerësojnë këto dëme dhe si Ministri do analizojmë mundësitë buxhetore, ligjore dhe operative për të përkrahur fermerët tanë drejt rikuperimit sa më të shpejtë”, ka deklaruar ministri Mustafa.