Emërimi i Armend Zemajt ministër i Shëndetësisë, ofendim për qytetarët

Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se emërimi i Armend Zemajt në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, është qasje joserioze dhe ofendim për qytetarët e Kosovës.

Sipas saj, LDK-ja me emërimin e një juristi në këtë pozitë, në kohë pandemie, ka ofenduar qytetarët dhe “është tendencë vetëm që të vihet në pushtet”.

“Numri i rasteve që po rritet nuk po merret seriozisht. Kemi një situatë në të cilën qytetarët janë tërhequr nga numri i madh i masave mbrojtëse. Po vërehet se ka edhe pak kontroll. Ka ndryshim drastik mes asaj që ka bërë ish-ministri Arben Vitia dhe komunikimin e tij dhe Zemajt që është munduar të gjejë arsye e shkaqe e s’ka pas seriozitet për rrethanat”, ka deklaruar ajo në KTV.

“Duhet të ketë person që e kupton seriozitetin e situatës. Në fund nëse je në pozitë të tillë, s’je vetëm i partisë që të ka deleguar, por i gjithë qytetarëve. Sjelljen e Zemajt e konsideroj joserioze. Vetë emërimi i tij pa bagazh në sektorin e shëndetësisë ka qenë joserioze, dhe gati se ofendim për qytetarët, nga ana e LDK-së. Është jurist, ka bagazh në punët parlamentare, është përfolur si i nominuar për Bujqësi e në fund doli ministër i Shëndetësisë. Kjo tregon mungesën e seriozitetit për trajtimin e pozitave qeveritare. Ka pas tendencë vetëm që të vihet te pushteti. Të tjerat janë subjekt i pazarit. Ndodhi mu në mes të pandemisë”.

Kusari-Lila ka thënë po ashtu se Qeveria Hoti në programin për menaxhimin e pandemisë si pikë të dytë ka imunizimin kolektiv. Këtë ajo e konsideron të gabuar, duke e ndërlidhur me Suedinë “si shembull që s’ka qenë i suksesshëm”.