Endrit Shala: Të gjitha lokalet në veri janë hapur

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë të ditur se të gjitha lokalet e serbëve në veri janë hapur.

“Pas një veprimi dy ditor të Qeverisë së Kosovës-Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që t’iu qëndrojmë pranë qytetarëve tanë nga veriu, në përmbushje të obligimeve tona ligjore dhe kushtetuese, iu informoj se sot të gjitha lokalet në pjesën veriore të vendit janë të hapura, pas detyrimeve nga jashtë për mbylljen e tyre”, ka shkruar Shala në profilin e tij në Facebook, njofton Klan Kosova.

“Qytetarët e asaj pjese mund të furnizohen me produktet e tyre ushqimore të përditshme”.

“Ne do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë qytetarëve të Kosovës, pa dallim ku do të jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Klan Kosova ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht se që nga sot do të hapen të gjitha dyqanet, pompat e benzinës dhe barnatoret që ishin të mbyllura për më shumë se 48 orë në komunat veriore të Kosovës.