Enver Hasani: PAN-i mund ta propozojë një kandidat të ri për kryeministër nëse kanë konsensus të plotë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se PAN-i mund ta propozojë nga kandidat të ri për kryeministër por vetëm me konsensus të plotë të brendshëm.

Hasani, në një lidhje telefonike në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është e vështirë të dihen motivet reale të dorëheqjes së Haradinajt përpos atyre që janë thënë në deklaratë.

“Me kalimin e kohës mund të ketë diçka tjetër në këtë dorëheqje…Arsyeja publike për të cilën është dhënë dorëheqje është keq për Kosovën”.

Hasani ka thënë se tani Kosova është në një situatë kushtetuese sikurse vendi kur del nga një proces zgjedhor.

Ai ka thënë se PAN-i mund të propozojë një kandidat të ri për kryeministër.

“Por pa pasur një konsensus të plotë brenda PAN-it askush nuk mund ta propozojë një mandatar për Kryeministër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se pas deklaratës së Haradinajt se do të kërkojë nga Presidenti për të shkuar në zgjedhje të reja, zgjidhja më e mirë e problemit do të ishte shpërbërja e Kuvendit.

Hasani ka thënë se Presidenti nuk mund ta shpërbëjë Kuvendin pasi Kosova është demokraci kushtetuese parlamentare.

“Presidenti mund ta shpërbëjë Kuvendin vetëm kur Qeveria humb besimin”, shtoi Hasani.

Ai ka thënë se mocioni i mosbesimit është zgjidhja më e mirë e problemit.