EPIK: Kosova të nisë fushatë diplomatike për ekspozimin e aktiviteteve dezinformuese të Rusisë e Serbisë

Instituti EPIK ka thënë se studimi i Parlamentit Evropian rreth identifikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformimit në Ballkanin Perëndimor, duhet të shërbej si bazë për institucionet e Kosovës për të ndërmarr një fushatë të koordinuar diplomatike në kuadër të strukturave multilaterale me qëllim të ekspozimit të aktiviteteve dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.

Në këtë kontekst, sipas Institutit, Qeveria duhet të shfrytëzoj shërbimin e jashtëm me qëllim të nisjes së një dialogu të afërt diplomatik me vendet e rajonit për të adresuar aktivitetet dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë në rajon.

“Në këtë drejtim, Qeveria duhet të punoj me institucionet e BE-së dhe me vendet anëtare për të çuar përpara gjetje dhe rekomandimet e raportit me qëllim të vënies para përgjegjësisë së Rusisë dhe Serbisë”, thuhet në reagim.

Kuvendi i Kosovës duhet të filloj një dialog të veçantë me Parlamentin Evropian për të zgjeruar të gjeturat e studimit për rastin e Kosovës, thotë Instituti EPIK, dhe të kërkojë adresimin e të gjeturave të studimit në kuadër të strukturave parlamentare të Ballkanit Perëndimor.

“Nga 74 fushatave dezinformuese të zbatuara në Ballkanin Perëndimor gjatë 2018-2020, më shumë se gjysma janë zbatuar nga Rusia dhe Serbia. Përderisa Kina dhe Turqia janë po ashtu aktive në rajon, asnjëra nga këto nuk posedojnë kapacitetet infrastrukturore të Rusisë për të shpërndarë dezinformatat dhe për të manipuluar opinionin publik në gjithë rajonin”, thuhet tutje nga EPIK.

Sipas tyre, qasja e Rusisë ndaj operacioneve të dezinformimit ka për qëllim përmbysjen e armiqve ideologjik duke zgjeruar ndasitë politike, ekonomike dhe ideologjike të kundërshtarëve, ndasitë të cilat më pastaj minojnë kohezionin politik, ekonomik dhe ushtarak.

“Fushatat dezinformuese të Rusisë janë duke u zbatuar përmes një kombinimi të kanaleve publike dhe të fshehura”.

Në këtë drejtim, “Serbia shërben si trampolinë e Rusisë për fushatat dezinformuese në rajon”, sqaron më tej EPIK, ndërsa si medium të dezinformatave përmend “Sputnikun” që “kanë për qëllim diskreditimin e BE-së dhe NATO-s”.