Erdogan do të takohet me delegacionet e Ukrainës e Rusisë përpara negociatave

Ish presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se do të takohet shkurtimisht me delegacionet ukrainase dhe ruse përpara bisedimeve të tyre nesër.

Në një fjalim televiziv pas mbledhjes së kabinetit, Erdogan tha se në bisedat e veçanta telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atë rus Vladimir Putin, përparimi në një drejtim pozitiv ishte i dukshëm, pa ofruar detaje, raporton AP.

Negociatorët rusë dhe ukrainas do të fillojnë nesër në Stamboll dy ditë bisedime ballë për ballë.

Turqia shpreson që negociatat e ardhshme midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës do të çojnë në paqe në Ukrainë, tha dje ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu.

“Me iniciativën e presidentit turk Erdogan, delegacionet negociuese të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen në Turqi. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që lindin nga besimi që të dyja palët kanë në Turqi. Shpresojmë që takimet të rezultojnë në një armëpushim të përhershëm dhe të mundësojnë paqen”, ka shkruar Çavusoglu në Twitter.