“Evropiani i Vitit” nga Kosova ëndërron t’i bie kitarës përtej kufijve

Dy telat e sipërm të kitarës i prek lehtë gjersa flet për veten.

Tingujt e kitarës, Ledion Halitaj thotë se e bëjnë të ndihet më i qetë dhe i lumtur.

Dashurinë për këtë instrument, 11-vjeçari nga Prishtina e kishte prej se ishte shumë i vogël, ndërsa prindërit i bindi t’ia blinin një kur ishte rreth 9 vjeç.

Në vitin 2020, Ledioni u regjistrua në shkollën private të muzikës “Beethoven” në Prishtinë, ndërsa në shtator të atij viti fitoi çmimin e parë në një festival ndërkombëtar të kitarës, i organizuar në Transilvani të Rumanisë.

“Kitarën e kam pasur qejf shumë dhe atë kitarë e kam mbajtur në katër festivale dhe pastaj e kam blerë kitarën e re”, tregon Ledioni për Radion Evropa e Lirë.

Ledion Halitaj, kitarist 11-vjeçar para shkollës "Beethoven" në Prishtinë, ku vijon mësimet për kitarë.

Karriera e tij si muzikant i ri shpërtheu shpejt me pjesëmarrje të shumta në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Ai sot numëron 15 çmime nga këto festivale.

Por, përhapja e pandemisë COVID-19 më 2020 bëri që këto festivale të mbaheshin në formën online dhe ai të mos mund të udhëtonte në vende si Rumania e Bullgaria, ndër tjera.

“Por, prej këtij viti po përgatitem për festivale të radhës [me prezencë fizike]”, tregon i entuziazmuar 11-vjeçari.

Ndër vlerësimet më të veçanta për të, Ledionit i erdhi më 4 maj të këtij viti, kur Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ia dha çmimin “Evropiani i Vitit”.

Ledion Halitaj duke pranuar çmimin "Evropiani i Vitit" nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ky çmim ndahet çdo vit për një person në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës që shënohet më 9 maj.

Në mesin e disa të nominuarve nga kjo zyrë, fituesi zgjidhet përmes votave të publikut kosovar në rrjete sociale.

“Ky kitarist klasik 11-vjeçar, jashtëzakonisht i talentuar, është një model i vërtetë dhe një fener shprese. Më shumë të rinj kosovarë duhet ta zgjedhin artin si thirrjen e tyre”, tha Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, gjatë ndarjes së çmimit për Ledionin.

Ledioni thotë se në mbrëmjen e ndarjes së çmimit, kishte shumë njerëz që po e shikonin.

“Por, nuk kishte problem”, thotë ai, duke shtuar se ky çmim “do ta motivojë shumë që të arrijë edhe suksese të tjera”.

Ledioni vijon mësimet në klasën e gjashtë në Shkollën Fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, ndërsa mësimet e kitarës i ndjek dy herë në javë.

Mësuesin e tij, Erhan Mujka, Ledioni thotë se e ka kitarist të preferuar, së bashku me Petrit Çekun, një kitarist tjetër kosovar.

Mujka – krenar me sukseset e nxënësit të tij – thotë se do të dëshironte që të rinjtë e talentuar në muzikë nga Kosova, të kishin pasur mundësi të udhëtonin më lirshëm nëpër Evropë.

Qytetarët e Kosovës kanë regjim të vizave për udhëtim në shumicën e vendeve evropiane, por ai pritet të hiqet më 1 janar, 2024.

“Gara… nuk është ideja të zhvillohet vetëm sa për garë. Ideja është që (nxënësit) të shoqërohen. Është shumë me rëndësi që të shohin kulturën, zhvillimin e shteteve tjera, të shohin edhe nivelin e moshatarëve të nxënësve”, thotë Mujka, i cili është mësimdhënës i kitarës edhe në një shkollë publike të muzikës në Mitrovicën e Jugut.

“Lëndët e mia të preferuara janë biologjia dhe historia”, thotë Ledioni, i cili, megjithatë, fokusin synon ta mbajë në kitarë.

“Kam dëshirë të vizitoj vendet si Vjena (Austri), Italia e të tjera”, thotë ai, duke shpresuar që një ditë të paraqitet me kitarën e tij edhe atje.