Familja Sala hyn në shtëpinë e re që ia rindërtoi Rita Ora (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, i doli në ndihmë familjes Sala nga fshati Pinar i Tiranës pasi tërmeti i 26 nëntorit ia shkatërroi shtëpinë atyre.

Ora vendosi që kësaj familje t’ia rindërtonte shtëpinë dhe sot gjashtë anëtarët e familjes kanë hyrë në shtëpi të sigurt, njofton Klan Kosova.

Çelësat e shtëpisë atyre ua dorëzoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me një kushërirë të Rita Orës, Amantia.

“Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai.

Edlira Sala duke falënderuar kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren për shtëpinë e re, e emocionuar tha se nuk kishte mundur që të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë.

“S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time”.

Veliaj ka publikuar në Facebook këtë aktivitet duke e falënderuar Ritën:

Premtim i dhënë, premtim i mbajtur!?

Në shtëpinë e re të familjes Sala?, e rindërtuar nga goca jonë Rita Ora, e cila iu përgjigj menjëherë thirrjes tonë për të adoptuar një nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.?

Faleminderit nga ❤ Rita!