Fatmir Sopi e përfundon dëshminë në Hagë, rrëfen ofensivën që ndodhi në Zllash në prill të 1999-ës

Në sesionin e dytë të gjykimit të së mërkurës, ish- anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi e ka përfunduar dëshminë e tij, përderisa gjatë këtij sesioni ka rrëfyer për ofensivën që ndodhi në Zllash në prill të vitit 1999.

Këtë rrëfim, Sopi e ka bërë në gjykimin ndaj Salih Mustafës, i cili po akuzohet për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë sesion, gjykimi ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve nga ana e trupit gjykues, ku kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka pyetur dëshmitarin pse përdorte njësiti BIA fshatin Zllash për vendndodhje.

“Mendoj se e përdorte njësiti BIA këtë bazë të UÇK-së, këtë shtëpi, si bazë të veten për arsye se zhvillimin e aktiviteteve të tyre nuk mund ta zhvillonin në Prishtinë prej nga vinin shumica e UÇK-së që ishin të radhitur në radhët e njësitit BIA. Në pamundësi të jenë të sigurt në Prishtinë, ata e shfrytëzuan këtë pikë për qëndrimin e tyre”, ka thënë Sopi.

Tutje, ai deklaroi se ai vendqëndrim nuk ka pasur diçka të veçantë dhe ka qenë si të gjitha bazat tjera të UÇK-së.

Kryetarja e trupit gjykues, i tha Sopit se në një deklaratë ka thënë “mendoj se ishte nga një distancë ku ishin ata dhe ishin lart në mal, mendoj për çështje sigurie”. Ajo e pyeti se çfarë ka menduar kur ka thënë se është lart.

“Lart në mal kam menduar distanca nga Prishtina është përdorë, domethënë distanca nga Prishtian, lart, se Zllashi si fshat është lart, këtë kam menduar që distanca nga Prishtina të jetë sa më lart në mënyrë që të mos jenë objekt i sulmeve të policisë serbe. Ushtarët e njësisë BIA familjet i kanë pasur në Prishtinë dhe edhe familjet e tyre kanë mundur të jenë të rrezikuara po të dihej se familjarët e tyre janë pjesëtarë të UÇK-së”, ka thënë Sopi.

Ai tha se janë shfrytëzuar lartësia dhe largësia sa më shumë, që të jetë i pamundur depërtimi i forcave serbe në mënyrë që të vërehej sa më lehtë fillimi i ndonjë ofensive nga forcat serbe.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues tha se për të nuk është ende e qartë sepse kur është pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pse BIA përdorte Zllashin, ai tha se ishte lart në mal dhe nuk ka përmendur ndonjë pikë tjetër.

“Përndryshe, brigada 153 ka pasur bazën në Zllash”, ka thënë Sopi më pas.

Ai është pyetur edhe lidhur me ofensivën e dytë që ka ndodhur në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1999.

“Serbët, a arritën që të futeshin në Zllash në ofensivën e dytë”, ka pyetur Veldt- Foglia dhe këtë e konfirmoi Sopi.

Dëshmitari tha se beson se ofensiva ka filluar më 18 prill, tre ditë kanë rezistuar dhe nuk kanë lejuar depërtimin e tyre në Zllash dhe në fund të ditës së tretë kur popullata civile është tërhequr në drejtim të Prishtinës dhe pasi kanë pasur humbje edhe të ushtarëve edhe popullatës civile nga granatimet janë detyruar që t’i lëshojnë pikat e tyre.

“Ata kanë arritur që ta pushtojnë Zllashin”, tha në fund të përgjigjes së tij Sopi.

Kurse, tha se data duhet të jetë 20 ose 21 prill dhe shtoi se serbët i dogjën së pari të gjitha shtëpitë dhe shkuan pothuajse në çdo shtëpi në Zllash.

“Së pari e granatuan shkollën me artileri dhe shtëpitë që dukeshin nga kodra në lartësi, në majën e Zllashit të vogël. Filluan granatimet me topa nga tankset, pastaj ka filluar depërtimi i këmbësorisë së tyre dhe kanë depërtuar pothuajse në të gjitha shtëpitë në Zllash”, rrëfeu Sopi.

Ndërsa, kur u pyet a arritën serbët të shkonin në kompleksin e njësitit BIA, në shtëpinë e familjes Krasniqi, dëshmitari Sopi konfirmoi dhe tha se nuk e di se çfarë kanë bërë aty, pasi nuk kanë pasur si ta dinë.

Kurse, tha se ka mundur të shpëtojë ndonjë shtëpi, por se pjesa dërrmuese është djegur nga ana e serbëve.

“Por, nëse më kujtohet mirë, ne pamë një fotografi edhe dje edhe sot dhe ju na thatë që ky është vendi për të cilin po flasim dhe thatë se këto shtëpi nuk janë djegur”, ka pyetur gjyqtarja.

Lidhur me këtë, Sopi tha se shtëpitë në anën tjetër kanë qenë të djegura pasi ka pasur edhe shtëpi të tjera aty.

Ai tha se nuk e di saktë me çfarë forca kanë depërtuar në kompleksin e njësitit BIA, por se e di që kanë depërtuar në çdo pikë të Zllashit. Po ashtu, shtoi se ka qenë e depërtueshme që në vendndodhjen e njësitit BIA të shkohet edhe me tenka e automjete.

Pas okupimit të Zllashit nga serbët, ai tha se pjesa dërrmuese e ushtarëve të UÇK-së kanë shkuar në regjionin e Koliqit.

“Unë me një grup ushtarësh nuk kam lëvizur nga Zllashi”, ka thënë Sopi, ku sipas tij, në atë kohë kanë qëndruar në pyll.

Atij më pas iu citua deklarata e dhënë në ZPS, ku kishte thënë “ne qëndruam në Zllash, por ne nuk qëndruam me forcat serbe, ne lëvizëm, ne shkuam në pyll”.

Nga kryetarja e trupit gjykues, tha se përmendi fjalën pyll më herët e pastaj thuhet në mal dhe se a është e njëjta gjë pylli dhe mali, e dëshmitari e konfirmoi këtë dhe se ka qëndruar në bjeshkë.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të tjerë të trupit gjykues, dëshmitari Sopi tha se u kthyen pas largimit të forcave serbe nga Zllashi dhe u vendosën në një shtëpi që ishte në pyll, e cila kishte shpëtuar pa u djegur.