Fazliu: Mero Baze ka thënë një të pavërtetë për LKÇK-në

Nebih Fazliu, ish veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës – LKÇK, dhe vëllai i heronjëve Fahri dhe Bahri Fazliu, i ka reaguar gazetarit Mero Baze, i cili tha mbrëmë se në vitin 1994, LKÇK në Shqipëri ka lëshuar një komunikatë e cila dënonte me vdekje Sali Berishën, duke e quajtur këtë si një të pavërtetë të madhe, shkruan Fokusi.info

Statusi i plotë i Nebih Fazliut:

Mbrëmë Mero Baze, në një intervistë me Baton Haxhiun në Televizionin T7, paska deklaruar se në vitin 1994 Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) në Shqipëri paska lëshuar një komunikatë, e cila dënonte me vdekje Sali Berishën. Kjo komunikatë, si dhe situata e përgjithshme politike të Shqipëri, sipas Mero Bazes, paskan ndikuar, pos tjerash, edhe në vrasjen e biznismenit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Remzi Hoxhës.
E them me përgjegjësi të plotë se LKÇK-ja asnjëherë nuk ka lëshuar një komunikatë të tillë.
Pavarësisht se kam respekt për Mero Bazen, më duhet të deklaroj se kjo është një E PAVËRTETË E MADHE, mbase e thënë gabimisht si pasojë e keqinformimit.