Policia e Pejës fillon hetimet për rastin e vrasjes së drenushave

Policia e Pejës ka konfirmuar se ka hapur rast ndaj personave të dyshuar për vrasjen e drenushave.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj ka konfirmuar se autoritetet policore kanë vepruar menjëherë dhe e kanë ftuar në intervistë njërin prej të dyshuarve, për veprën e gjuetisë së palejuar.

“Bazuar në informatat që ka marr policia prej medieve, menjëherë ka reaguar. Njësiti i hetimeve në Stacionin e Pejës është duke u marr me rastin. Ka ftuar personin i cili i ka postuar këto foto.

Sigurisht se tash do të kontaktohet edhe prokurori dhe do të merren hapat konkret ndaj tyre”, ka bërë të ditur për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për Rajoinin e Pejës, Xhevat Ibraj.

Më herët, u publikua shkrimi për vrasjen e dy drenushave që dyshohet se ka ndodhur në Bjeshkët e Rugovës. Sipas sinjalizuesit të redaksisë, të dyshuarit për këtë vepër janë, Jetmir Zeqiraj dhe Xhevdet Kelmendi nga fshati Zahaq, të cilët edhe i kanë ekspozuar fotot e këtyre kafshëve të vrara, në profilet e tyre në “Facebook”.

Menjëherë pas publikimit të shkrimit, redaksinë e kanë kontaktuar dy personat që pretendojnë se janë të apostrofuarit në tekst, të cilët dyshohen se i kanë vrarë drenushat. Ata kanë deklaruar se rasti nuk ka ndodhur në Kosovë, por në shtetin e Gjermanisë dhe me leje të autoriteteve gjermane.

Por, Jetlir Zeqiraj, njëri nga të dyshuarit, nuk e ka ofruar lejen që thotë se e posedon përkundër kërkesës nga Redaksia për t`i mbështetur pretendimet e tij. Ndërsa i dyshuari tjetër cili është prezantuar si Xhevdet Kelmendi nga fshati Zahaq ka mohuar se ka qenë ndër personat që e ka kryer aktin e vrasjes së drenushave ashtu sikurse që ngjarja të ketë ndodhur në Kosovë.

Çështja e ndiçimit të saktë të lokacionit ku ka ndodhur vrasja e drenushave mbetet të hetohet nga policia.
“Tash personi është kontaktu. Personi i cili i ka postu ato. Tash do të ftohet do të merren informatat, lokacioni, krejt shkojnë ato duke u zhdërvjellë. Me rëndësi që është vepruar lidhur me këtë rast”, ka përfunduar zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibraj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.