Fëmijët e Ibrahim Rugovës po e bojkotojnë Vjosa Osmanin dhe rugovizmin e LDK-së

Fëmijët e Rugovës nuk po e përkrahin LDK-në e Vjosa Osmanin në këto zgjedhje.

Mbetën jashtë listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, por – fëmijët e ish-presidentit dhe kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, nuk po e përkrahin partinë në këto zgjedhje.

“Fryma Rugoviane”, e Lidhjes Demokratike të Kosovës që në këto zgjedhje ka zënë vendin e kryefjalës në ligjërimin e tyre politik, nuk i ka marrë me vete të bijtë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Teutë, Mendim e Ukë Rugova siç duket janë distancuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje dhe këtë më së miri e dëshmon mos-përfshirja e tyre në listën zgjedhore, shkruan lajmi.net.

Ukë Rugova, djali i madh i ish-Presidentit Ibrahim Rugova ushtron detyrën e Anëtarit të Këshillit te Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës por ai nuk duket shumë i angazhuar.

Hera e fundit kur Ukë Rugova u pa në opinion së bashku me LDK-në ishte Kuvendi Qendror i zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie, por që nga ajo ditë, Rugova nuk shihet më.

Tani kur partitë politike kanë hyrë në ditën e katër të fushatës, ai nuk është parë asnjëherë në asnjë tubim, e madje, ai nuk ka publikuar asgjë as në profilin e tij në Facebook që lidhet me partinë e babait të tij, të cilës i sherbeu edhe vet.