Festa e Kurban Bajramit, Tërnava: Lutemi të ketë sa më pak konflikte

Besimtarët e fesë islame gjatë ditës së nesërme do të festojnë festen e Kurban Bajramit. Myftiu, Naim Tërnava, në adresimin e tij ka folur për domethënien e festës, dhe ka përcjellur lutjet për më pak konflikte e dhunë. Ndërsa institucionet e vendit, kanë bërë një paralajmërim për qytetarët, në lidhje me therrjen e kurbanëve gjatë së mërkurës, që kjo të bëhet vetëm në thertore të licensuara.

Pamje të tilla janë të zakonshme në shumë qytete të vendit, në prag të festës së Kurban Bajramit.

Por, shitësit e deleve, një ditë para festës së Kurban Bajramit, patën punë me institucionet lokale e policinë e Kosovës në Prishtinë.

Fermerët nga rrethi i kryeqytetit nuk u lejuan që shitjen ta bëjnë në këtë pjesë të qytetit.

E ngjashëm pritet të jetë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Policia e inspektorët e Agjencisë së Ushqimit e Veterinës do të jenë në teren në mënyrë që të parandalojnë prerjen e tyre në hapsira publike dhe në kushte jo adekuate.

Zedhensi i AUV-it, Lamir Thaci ka bërë të ditur se aty ku do të haset kjo dukuri, do të shqipëtohet fletparaqitja për gjykatë derisa thotë se therrja e tyre mund të bëhet në 61 lokacione ku janë të licensuara nga kjo agjenci.

“ Ne kemi kapacitete shumë të kufizuara dhe shumica e tyre do të jenë në thertoret e licensuara por ata që nuk janë nëpër thertore se bashku më policinë do të jenë nëpër teren, secili mekanizëm tjetër shtetror nuk do të lejojë të kryhen therrjet në ambiente publike dhe në kushte jo higjenike”.

Për rëndësinë e prerjes së Kurbanit për këtë festë, ka folur edhe myftiu Naim Tërnava, por pa përmendur ndonjë udhëzim se si e ku të bëhet kjo.

Në adresimin e tij në prag të festës, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë dhe domethënien e festës.

“Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohen drejtë nga të gjithë, lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa luftëra e çrregullime, festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit, e mirëkuptimit.”, ka thënë Tërnava.

Namazi i Kurban-Bajramit do të falet në orën 5 e 38 minuta të mëngjesit të së mërkurës.