Festa kthehet në tragjedi për familjen Jupolli, humb jetën pas mesnate 28-vjeçari që u godit nga vetura

Nata e ndërrimit të viteve që duhej të ishte gëzim për çdo familje u shndërrua në një tragjedi për familjen Jupolli në Prishtinë. Djali i tyre 28-vjeçar, i cili u godit pasditen e djeshme nga një veturë në rrugën “Fahri Fazliu”, në orët e para të vitit 2023 ndërroi jetë.

Ky rast i rëndë ka tronditur familjen, kur në orët e mëngjesit morën lajmin se Arbnori ka vdekur, pasi s’ka arritur t’iu mbijetojë lëndimeve të rënda që pësoi nga goditja e veturës.

I riu fillimisht ishte dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor, por përkundër intervenimeve, 28-vjeçari vdiq.

Nga spitali e kanë njoftuar Policinë për vdekjen e këmbësorit, me ç’rast i dyshuari që shkaktoi aksidentin është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.